Albin Kurti, Jens Stoltenberg - Foto: ZKM

Stoltenberg pas takimit me Kurtin: Kosova dhe Serbia të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet mes vete përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Stoltenberg ka thënë se misioni i KFOR-it është dhe do të vazhdojë të jetë garantimi i sigurisë së Kosovës.

“Misioni i KFOR-it është atje dhe komandanti ka kontaktuar me organizatat e sigurisë në Kosovë. Neutraliteti i KFOR-it është qenësor për sigurinë në Kosovë. Kemi më shumë se 3,700 trupa në Kosovë. Jemi të përkushtuar ndaj mandatit tonë dhe KFOR do të vazhdojë të sigurojë lëvizje të lirë për gjithë popullin në Kosovë” – ka thënë Stoltenberg.

Tutje ai tha se Serbia dhe Kosova duhet që të angazhohen që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes dialogut.

“Beogradi dhe Prishtina të zgjidhin përmes dialogut, të angazhohen në mënyrë konstruktive në rundin e bisedimeve që nesër. Është me rëndësi për NATO-n që Prishtina dhe Beogradi të gjejnë zgjidhje për mosmarrëveshjet” – tha tutje ai.

Në pyetjen e gazetarëve se çka mund të bëjë NATO nëse ka përshkallëzim të situatës, Stoltenberg tha se veprimet e NATO-s do të jenë proporcionale.

Ai tha se NATO do të bëjë çdo gjë që është e nevojshme për të penguar çdo përshkallëzim.

“Duhet të fillojmë me faktin NATO është në Kosovë. Jemi me praninë më të madhe, jashtë territorit të NATO-s. Shprehim përkushtim për paqen në Kosovë. Kemi trupa të trajnuara nga të gjitha vendet partnere, vetëm prania e këtyre trupave atje, ndihmon në paqe. Ne mund të rrisim praninë tonë, por që kemi patrulla të rregullta edhe në veri të Kosovës. Veprimet tona do të jenë propocionale, të qarta dhe do të bëjmë çdo gjë që ëeshtë e nevojshme, për të ndaluar çdo përshkallëzim” – deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ndërsa Kurti dhe Vuçiq nesër do të takohen në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.