KFOR-i në veri, 29 maj 2023 Foto: Afrim Ejupi/ KALLXO.com

Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë

NATO-ja është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e këtij vendi, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese, janë tashmë në rrugë për në Kosovë.

“NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet”, u tha Stoltenberg gazetarëve në margjina të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo.

Stoltenberg, tha të enjten se dhuna kundër paqeruajtësve të misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë ishte “krejtësisht e papranueshme”.

Përleshjet midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan – komunë në veri të Kosovës – lanë 30 ushtarë të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues, më 29 maj.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

NATO-ja vendosi ta rriste misionin e saj prej 4.000 trupash në Kosovë edhe me 700 trupa shtesë, pasi 30 paqeruajtës të saj u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit, më 29 maj.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera të QUINT-it, e kanë bërë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb. /REL