Jens Stoltenberg, sekretari i NATO-s

Stoltenberg: Evropa nuk mund të mbrohet pa NATO-n

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se deklarata e tij për “vdekjen e trurit të NATO-s” ka shërbyer si një thirrje zgjimi për anëtarët e aleancës.

Gjatë një takimi me sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Jens Stoltenberg, presidenti francez tha se “ndihet i lumtur që të gjithë tani mendojnë më shumë për qëllimet strategjike”.

Ai përmendi disa sfida me të cilat ballafaqohet NATO-ja, përfshirë raportet me Rusinë, çështjen e Turqisë, dhe paqen në Evropë.

Më 7 nëntor, në një intervistë për revistën “Economist”, Macron kishte deklaruar se “ajo që ne po përjetojmë tani, është vdekja e trurit të NATO-s”.

Deklarata nxit reagime të shumta në mesin e vendeve aleate.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO-ja është e vetmja platformë ku Amerika e Veriut dhe Evropa mund të adresojnë çështjet strategjike së bashku.

“Bashkimi Evropian nuk mund të mbrojë Evropën. Bashkimi Evropian nuk mund të zëvendësojë unitetin transatlantik. Një NATO e fortë dhe një bashkim i fortë Evropian janë dy anët e së njëjtës monedhë. Të dyja janë të domosdoshme për lirinë e vazhdueshme dhe prosperitetin e Evropës”, tha Stoltenberg.

Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor në Londër, për të shënuar 70-vjetorin e aleancës ushtarake. /REL