Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Stoltenberg emërohet Ministër i Financave i Norvegjisë

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bë Ministri i ri i Financave të Norvegjisë të martën, më 04.02.2025, si pjesë e një riorganizimi të Kabinetit – raporton Reuters.

Emërimi i Stoltenberg gjerësisht popullor dhe i respektuar mund t’i japë Qeverisë laburiste një rritje në sondazhet e opinionit përpara Zgjedhjeve parlamentare të shtatorit 2025.

Politikani veteran ka qenë Kryeministër i Norvegjisë në vitet 2000-2001 dhe 2005-2013. Ai drejtoi aleancën ushtarake perëndimore për një dekadë – përfshirë edhe gjatë mandatit të parë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke u larguar në vitin 2024.

Emërimi i tij sjell një negociator dhe diplomat me përvojë në Kabinetin e Norvegjisë, në një kohë tensionesh tregtare globale.

“Ky ekip është gati të udhëheqë Norvegjinë në kohë të vështira.” – tha kryeministri Jonas Gahr Stoere para gazetarëve jashtë Pallatit Mbretëror, pasi Kabineti i ri u takua me mbretin Harald.

“Ne do të ofrojmë politika, që do të thotë diçka në jetën e përditshme të njerëzve dhe (ne) jemi të vetëdijshëm për paqëndrueshmërinë në botë nga e cila është prekur Norvegjia, si një vend i vogël.”

Në NATO, Stoltenberg u quajt “pëshpëritësi i Trumpit” për bindjen e Donald Trump për të qëndruar me aleancën, pasi Presidenti i SHBA-së u ankua gjatë mandatit të tij të parë se aleatët po shpenzonin shumë pak për mbrojtjen dhe kërcënuan të tërhiqeshin.

Norvegjia, jo anëtare e BE-së, një vend prej 5.5 milionë banorësh, me një ekonomi të orientuar nga eksporti, ka frikë se mund të jetë e ndjeshme ndaj një lufte tregtare transatlantike, nëse Trump vazhdon me kërcënimin e tij për të vendosur tarifa për mallrat e Bashkimit Evropian. Eksportet kryesore të Norvegjisë janë: nafta, gazi dhe peshku.

Partia euroskeptike e Qendrës së Norvegjisë dha dorëheqjen nga Qeveria të enjten, më 30.01.2025, në një mosmarrëveshje mbi miratimin e politikave energjetike të Bashkimit Evropian – duke lënë laburistët e qendrës së majtë të sundojnë vetëm.

Laburistët kanë mbetur prapa në sondazhe përpara Zgjedhjeve të shtatorit. Stoltenberg ishte i popullarizuar në mesin e norvegjezëve gjatë kohës së tij në NATO.

65 vjeçari është me profesion ekonomist dhe ka qenë Ministër i Financave në vitet 1996-1997. Ai shihet gjerësisht si një centrist pragmatist.

Në vitin 2022, Stoltenberg do të bëhej shefi i Bankës Qendrore të Norvegjisë, por nuk e mori këtë rol pasi presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden i kërkoi atij të vazhdojë si shef i NATO-s.

Gjatë mandatit të tij të parë si Kryeministër, Stoltenberg vendosi të ashtuquajturin rregull të shpenzimeve – një rregull i vetë-imponuar që thotë se Qeveritë norvegjeze nuk duhet të përdorin më shumë se 4% të vlerës totale të fondit të pasurisë sovrane për buxhetet kombëtare.

Ky rregull që atëherë është reduktuar në 3%, pasi vlera e fondit është rritur./Reuters