'Stoike e luftarake', presidentja Osmani uron xhudisten Krasniqi

E para e shtetit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar xhudisten kosovare, Distria Krasniqi, e cila mori medalje të argjendtë në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Osmani tha se shkëlqimi i Distria Krasniqit lartësoi flamurin e shtetit në majat më të larta.

“Kosova është pafundësisht krenare. E argjendta e saj, vërtetë, është me shije ari, sepse Distria do të mbetet përherë kampione që frymëzon një shtet të tërë. Faleminderit Distria, faleminderit Toni” – tha presidentja.

Xhudistja Krasniqi ka arritur të sigurojë medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike Paris 2024.

Ajo në finale u përball me Diyora Keldiyorova të Uzbekistanit, me të cilën ka një humbje nga po aq përballje në karrierën e saj.

Në Olimpiadën e Parisit, Kosova po merr pjesë me nëntë sportistë: pesë xhudistë, një boksiere, një sportiste në atletikë dhe dy notarë.