Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Steroidet në Prishtinë shiten pa recetë të mjekut
Në mesin e shumë parregullsive në sistemin shëndetësor të Kosovës është edhe shitja pa asnjë kriter e steroideve – medikamenteve të cilat disa sportistë i përdorin për të rritur muskujt e tyre.
Edhe pse të ndaluara për t’u shitur pa recetë të mjekut, gazetari i KALLXO.com ka arritur të blejë në dy barnatore ampula të steroideve Testosteron pa recetën e mjekut.
Duke filmuar me telefonin e tij gazetari ka dëshmuar se shitja e këtyre medikamenteve kryhet pa asnjë kriter.
Dy blerjet ndodhin në afërsi të QKUK-së në barnatore, të cilat sipas ligjit janë të licencuara dhe nuk do duhej të lejonin shitjen pa recetë të këtyre medikamenteve.
Gazetari: Po më duhet një testosteron.
Farmacisti: Ampulë a veç testosteron depo?
Gazetari: Ampulë ose pilulë, s’prish punë, cilëndo e përdor.
Farmacisti: Kjo është depo, qeshtu a e përdor qeto?
Gazetari: Çfare është? OK. Sa kushton?
Farmacistja: 3.5 është.
Gazetari: 3.5 është a? Sa copa i ka?
Farmacistja: Pesë copa i ka kutia.
Gazetari: A veç dy janë aty a?
Farmacistja: Jo, jo kam edhe tjetër.
Gazetari: Aha, OK, sa është një?
Farmacisti: 3.5 është copa, ky pe din është depo, vepron në mënyrë graduale.
Gazetari: Po, po më ka treguar ai trajneri i fitnesit.
Farmacistja: Një apo?
Gazetari: Po, njëherë një.
Farmacisti: Për fitnes a?
Gazetari: Po, për fitnes
Farmacisti: Ku?
Gazetari: Qetu në Prishtinë ushtroj që nja dy vite, dy vite e gjysmë
Farmacisti: Po a?
Gazetari: Ëhë, pak me mujtë me u zhvillu.
Farmacisti: Super, shumë mirë po ia bojshe, mirë që po gjen kohë,
Gazetari: Vështirë me gjet kohë, por po duhet.
Blerja e parë ka sukses.
Edhe barnatorja e dytë gjendet në afërsi të QKUK-së sërish kërkohet ampula e njëjtë, e cila sipas ligjit do duhej të ofrohej vetëm me recetën e mjekut.
Gazetari: Po më duhet një testosteron edhe një Dianabol a ka për fitnes?
Farmacistja: Ampulë.
Gazetari: Ampulë ose pilulë, pilulë a ka?
Farmacistja: Jo, veç testosteron ampulë.
Gazetari: E Dianabol a ka?
Farmacistja: Dianabol, jo.
Gazetari: Sa kushton një, dy e gjysmë a tri, a sa?
Farmacistja: Qashtu diçka, 3.80 një.
Gazetari: Sa, 3.80, OK, ma jep një. 3.8 euro a?
Farmacistja: Faleminderit!
Gazetari: Faleminderit, nuk thehet kjo jo?
Farmacistja: Ta shtimë në një këse më të sigurt ma mirë.
Gazetari: Qysh me e përdor?
Farmacistja: Ta aplikon dikush.
Gazetari: Okei, në lëkurë a?
Farmacistja: Po.
Në dy blerje gazetari ka arritur të sigurojë pa recetë ilaçin që është i ndaluar për t’u shitur.
Në tentativën e tretë gazetari gjen një farmaciste profesionale, e cila nuk pranon të shesë barin pa recetë të mjekut
Farmacistja: Unë ta jap se nuk është që në Kosovë lypet një recetë për me ble progesteronin ose testosteronin, tek e fundit unë jam veç punëtore dhe jam e detyrume me ta shitë, por profesionalisht nuk të kisha thanë me e marrë edhe pse ka meshkuj që lypin vazhdimisht.
Gazetari: Vazhdimisht e marrin e blejnë, ampula a?
Farmacistja: Po, po, kjo është intramuskular mirret.
Gazetari: Tabletë nuk shitni hiç a?
Farmacistja: Tabletë nuk kemi hiç valla.
Gazetari: Dianabol s’ka a? Asi tableta?
Farmacistja: Jo s’kemi as dianabol.
Gazetari: S’po e marr pra faleminderit, vij e marrë ma vonë nashta.
Ilaçet e rrezikshme shiten pa recetë në barnatoret e Prishtinës ndërsa zyrtarisht Agjencia kosovare për produkte medicinale thotë se kjo shitje është e ndaluar pa recetën e mjekut.
“Po, steroidet janë produkte medicinale të cilat mund të importohen vetëm po qe se janë të regjistruara në Republikën e Kosovës gjegjësisht në AKPPM. Shitja e steroideve lejohet vetëm në barnatoret dhe vetëm me recetë apo përshkrim të mjekut”, thuhet në përgjigjen e AKPPM-së për KALLXO.com.