‘Stenta 2’, shpjegimet e kardiologëve pse ishin në fletoren e spitaleve private

Në Gjykatën e Prishtinë u ulën sërish në bankën e të akuzuarve 38 kardiologë mbi të cilët rëndojnë akuzat për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si ‘Stenta 2’.

Ndër ta, në seancën e të martës, të akuzuarit Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Halim Haliti, Agron Leka dhe Agron Besimi, e dhanë mbrojtjen e tyre para trupit gjykues të përbërë nga kryetarja Suzana Çerkini dhe anëtarët Mentor Bajraktari dhe Lutfi Shala.

Secili prej tyre u deklaruan, përveç Agron Besimit, i cili e shfrytëzoi të drejtën për t`u mbrojtur në heshtje.

I akuzuari Nehat Rexhepi në mbrojtjen e tij deklaroi se në periudhën 2010 deri në 2012 ka qenë i angazhuar në spitalin privat “IMH”.

Mbrojtësi i tij, avokati Selami Rexhepi, i parashtroi të akuzuarit Rexhepi pyetje rreth 6250 eurove për të cilat Prokuroria e akuzon se i ka marrë në formë ryshfeti, bazuar në listën e një fletoreje të gjetur nga Prokuroria.

Lidhur me këtë, ai ka deklaruar se nuk ka lidhje fare me listën në fjalë.

“Unë nuk kam lidhje me këtë, nuk e di pse emri im është në këtë listë, shumat që Prokuroria pretendon që i kam marrë, në atë kohë kam qenë në pushim”, u shpreh Rexhepi.

Ndërkaq, i akuzuari Florim Sadiku e mohoi faktin se ka punuar në njërin prej spitaleve private të përfshira në rastin në fjalë, “EDA” dhe “IMH”, e as nuk ka pranuar ndonjëherë shuma të parave nga këto spitale.

Lidhur me akuzat e Prokurorisë se i njëjti ka pranuar 3850 euro, i njëjti u shpreh se: “Kam dëshirë me ditë kush m`i ka dhënë ato të holla, kur m`i ka dhënë dhe pse m`i ka dhënë?”.

Kurse i akuzuari Lulzim Kamberi, i cili në kohën kur pretendohet të jenë kryer veprimet penale ka qenë shef i repartit të kardiologjisë, ka dhënë shpjegime rreth procedurës dhe ligjshmërisë së referimeve të pacientëve nga QKUK në spitalet private ku u janë vendosur stentat.

“Referimet janë obligative sipas nenit 24 të Ligjit për Shëndetësinë, e që janë ato që nuk mund të kryhen në institucionet përkatëse”, shpjego ai.

“Referimi im ka qenë legal, legjitim dhe profesional, dhe kushdo që nuk i ka referuar pacientët duhet të ketë qenë këtu në vendin tim. Cilësimi i referimit si vepër penale e ka dëmtuar shëndetësinë në Kosovë”, shtoi ai.

Prokurorja e rastit, Florije Shamolli, në pyetjet që i parashtroi të akuzuarit i përmendi edhe një mesazh telefonik të cilin i njëjti e kishte pranuar nga i akuzuari për të cilin është veçuar procedura –  Nexhmi Zeqiri, mesazh i cili kishte të bënte me një shumë prej 500 eurosh.

“… nëse ke ndonjë pacient për te maqedontë, tregom me sms dhe 500 euro janë tuat”, ishte mesazhi të cilin e citoi prokurorja.

Për të njëjtin, i akuzuari shprehu se pranon qindra mesazhe të cilat kanë qëllime inkriminuese ndaj tij, nuk i përgjigjet të gjithëve dhe se lidhur me këtë mesazh nuk kishte biseduar kurrë me Zeqirin.

Në vazhdim u deklarua Halim Haliti i cili u shpreh se nuk kishte qenë kurrë i angazhuar në njërin prej spitaleve private EDA apo IMH e se me vetëdijen e tij nuk ka marrë kurrë asnjë shumë të hollash nga asnjëri prej tyre.

Sipas Prokurorisë, emri i të njëjtit është vërejtur në fletoren e spitalit IMH bashkë me shumën prej 2500 eurosh.

Në të njëjtën fletore, Prokuroria pretendon se kanë figuruar edhe emrat e të akuzuarve të tjerë bashkë me shumat respektive të të hollave të cilat akuzohet të kenë marrë.

Seanca vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga ana e të akuzuarit Agron Leka.

Ky i fundit po ashtu ka mohuar se ka qenë i angazhuar në njërin prej spitaleve private e për 1650 eurot ryshfet për të cilat akuzohet ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush ia ka shënuar emrin në fletoren në fjalë.

Seancat e radhës janë të parapara të mbahen me 31 maj, 1 dhe 2 qershor 2023.

Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë, Gani Bajraktari, Faik Shatri, Hamza Selmani, Banush Gashi, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Daut Gorani, Hajdin Qitaku, Agim Krasniqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nehbi Musliu, Dardan Koqinaj, Avni Batalli, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Nehat Rexhepaj, Florim Sadiku, Lulzim Kamberi, Reshat Emra (tashmë i vdekur), Halim Haliti, Agron Leka, Agron Besimi, Galina Berisha, Bajram Mziu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Besim Guda, Bajram Preteni, Ismajl Avdimetaj, Petrit Ademaj, Aferdita Selmanaj, Salih Shala, Luan Pazhari.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Reshat Emra por i njëjti ka ndërruar jetë dhe kundër tij ka pushuar procedura.

Rasti “Stenta” ishte njëri nga rastet më të mëdha korruptive të cilin pretendon se e kishte zbuluar Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në ketë rast ishin akuzuar mbi 62 persona në mesin e të cilëve edhe zyrtarë të lartë publik e punonjës shëndetësorë, të cilët kishin përfunduar në akuza të Prokurorisë Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrja e ryshfeti, dhënia e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës të pandehurit akuzoheshin se kanë lëshuar letra-referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, së paku 233 personave.

Për shkak të numrit të madh të akuzuarve dhe menaxhimit më të lehtë me rastin në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas në rastin ‘Stenta 1’,  mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.

Raportimet e KALLXO.com për rastin ‘Stenta’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK