Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Foto: Presidenca e Kosovës

Steinmeier pret në takim Osmanin: Kosova duhet të punojë për t’i krijuar kushtet për anëtarësim në BE dhe KiE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga homologu i saj gjerman, Frank-Walter Steinmeier, të mërkurën më 02.10.2024.

Zyra e Presidentit Steinmeier ka publikuar një fotografi me Osmanin me përshkrimin se “Gjermania është shumë e interesuar për stabilitetin e rajonit dhe mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian dhe në Këshillin e Europës”.

“Vendi duhet të punojë për t’i krijuar kushtet e nevojshme për këtë” – ka shkruar më tej.

Detaje nga ky takim ka dhënë edhe Zyra e Presidentes Osmani, duke treguar se homologët kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Ballkan Perëndimor dhe në avancimin e integritetit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Osmani ka shprehur vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit dhe në rrugën euroatlantike.

Ajo ka treguar edhe mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga Procesi i Berlinit, të cilin e ka cilësuar shtysë të fuqishme për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim” – ka theksuar presidentja Osmani.

Presidenca ka shtuar se Osmani ka potencuar edhe rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Gjermani, si urë e fuqishme për raportet ndërmjet dy shteteve.

Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, presidentja Osmani, është takuar edhe me ministren e Jashtme të këtij shteti, Annalena Baerbock.

E para e vendit tha se gjatë këtij takimi u rikonfirmua partneriteti i fortë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

“Gjermania mbetet aleate kyçe për rrugëtimin tonë euro-atlantik si dhe për çështjet politike, të sigurisë dhe ekonomike, ndaj puna jonë e përbashkët është rruga që shpie drejt sukseseve”- ka shkruar Osmani në Facebook më 01.10.2024.

Një takim, Osmani e ka zhvilluar edhe me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth.