Stavileci: Rritja e pagave dhe tërheqja e Trustit, zgjidhje për ta ndalur varfërinë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci, tha sot se rritja e pagave dhe tërheqja e 30 për qind të kursimeve nga Trusti, janë zgjidhja për të ndaluar varfërimin e qytetarëve.

Ai në një konferencë për media, ka thënë se tash e dy vite qytetarët e vendit tonë po vazhdojnë të përballen me kriza e vështirësi të njëpasnjëshme.

“Kemi dhënë shumë rekomandime, edhe për ligjin e pagave, edhe për pagën minimale, edhe për trustin pensional. Ato duhet të ndodhin sa më shpejtë. RRITJA E PAGAVE, RRITJA E PAGËS MINIMALE MBI 300 EURO DHE TËRHEQJA E TRUSTIT”, tha Stavileci.

Sipas Stavilecit, pushtetit po i mungon veprimi.

“Ky pushtet në vend se të ishte në ulësen e parë për t’i dhënë zgjidhjes drejtimin, ka braktisur atë për t’i bërë krizës thellimin. Pushtetit po i mungon veprimi e po i rritet mosdëgjimi. Padija dhe mosdëgjimi po e ushqejnë arrogancën, injorimin dhe diskriminimin e qytetarëve dhe familjeve të tyre. Kjo shportë e pakuar e familjeve për t’u mbushur përsëri ashtu siç ishte dikur, duhet ta ketë vëmendjen e pushtetit dhe përmbushjen e veprimeve të qeverisë, për të cilat ajo duhet të ketë vizion dhe kurajo.”, ka thënë anëtarësi i Kryesisë së PDK-së.

“Nuk bëhet qeverisja duke munguar e abstenuar. Nuk zgjidhen krizat duke i shpërfillur e thelluar. Nuk ndihmohen familjet duke i varfëruar. Familjet kosovare, sot më shumë se kurrë, kanë nevojë urgjente për t’i ndihmuar”, ka thënë ai.

Në fund, Stavileci ka thënë se pas fitores së 450 mijë familjeve kundër shtrenjtimit të padrejtë, të paarsyeshëm e të paligjshëm të energjisë elektrike, do ta vazhdojnë me punën për gjetjen e rrugëdaljes “për ta kthyer fuqinë blerëse të familjeve dhe për të mos lejuar varfërimin e mëtejshëm të tyre, meqenëse Qeverisë nuk po i bëhet vonë”.

Më 25 maj, pa rekomandim të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, propozimi për tërheqje të mjeteve nga Trusti,  do të shkojë për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

Pas diskutimeve nga deputetët, ky Projektligj nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për t’u miratuar nga ky komision.

Opozita mbështeti projektligjin, ndërkaq pozita jo.

Tërheqja e mjeteve nga Trusti ishte ide e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.