
Zëdhënësi i fushatës të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci.
Stavileci: Rezultati e konfirmon edhe më shumë besimin në PDK, qytetarët ia kanë kthyer shpinën kësaj Qeverie
Zëdhënësi i Shtabit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci thotë se janë të kënaqur me rezultatet preliminare të Zgjedhjeve 2025. Ai tha se për koalicione të mundshme do të diskutojnë pas rezultateve përfundimtare.
“PDK si një forcë politike e rikthyer fuqishëm, sikur vitet më parë, do të jetë ajo që në krye me liderin e saj do të vendosin gjatë ditëve në vijim. Shohim rezultatin final.” – tha ai, kur u pyet se a e kanë në plan të bëjnë koalicion me AAK-Nisma.
Stavileci tha se me rëndësi është që PDK-ja është konsoliduar me mbi 200 mijë vota.
“PDK-ja edhe më parë ishte forca kryesore opozitare. Sot kemi një rezultat që e konfirmon edhe më shumë besimin në Partinë Demokratike të Kosovës. Por, sot kemi edhe një realitet të ri që qytetarët e Kosovës ia kanë kther shpinën kësaj Qeverie. Pra, nuk e kanë shumicën.” – tha ai në Konferencë për media.
Deri në ora 23:00, më 09.02.2025, KQZ ka procesuar 73.04% të vendvotimeve. Sipas këtyre të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin për nga numri i votave sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), me 41.99% të votave.
Partia e dytë me më së shumti vota deri më tani është renditur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.68%, partia e tretë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.90%, partia e katërt AAK-Nisma me 7.56%, Lista Serbe me 7.56%, Koalicioni për Familje me 2.29%.
Kandidati i Vetëvendosjes për Kryeministër, Albin Kurti ka thënë se do ta themelojë Qeverinë Kurti III me koalicionin e tyre, me Listën Guxo dhe Alternativa.
“Koalicioni ynë fitues do ta themelojë Qeverinë e re ‘Kurti 3’ dhe do të vazhdojmë punët e mira.” – tha ai për media, më 09.02.2025, nga selia e LVV-së në Prishtinë.
Kurti tha se nuk ka pasur incidente dhe gjithçka ka shkuar sipas ligjit dhe rregullave – duke falenderuar Policinë dhe organet në përgjithësi.
“E kanë dëshmuar qytetarët rezistencën e dytë përkundër një lufte hibride e oligarët, sidomos njëri prej tyre, kanë shpenzuar pa hesap dhe kanë kërcënuar punëtorët dhe përkundër të gjithave: populli fitoi, fitoi LVV dhe subjekti që do ta formojë Qeverinë. Të gjithë e kanë të qartë se ata që janë në vendin e dytë dhe te tretë edhe po të bëhen bashkë nuk mund të bëhen sa LVV.” – tha Kurti te objekti i LVV-së.