Një nga pikat kufitare

Statistikat e policisë për kontrollet në kufi dhe hyrjet e daljet në Kosovë në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke i realizuar detyrat e saj në zbatim të vendimit të Qeverisë pas hapjes së kufijve tokësor si rrjedhojë e lehtësimit të masave të lëvizjes për shkak të situatës së krijuar me coronavirusin.

Policia e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com, ka theksuar se sipas vendimit zyrtar, të gjithë personat që hyjnë në territorin e Kosovës, obligohen t’iu nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, me vendim ka hapur kufijtë tokësor në pikat kufitare; Merdare, Vermicë, Kullë, Hani Elezit, Jarinje dhe Dheu i Bardhë. Sipas vendimit zyrtar të gjithë personat që hyjnë në territorin e Kosovës, obligohen t’iu nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore”, thuhet mes tjerash në përgjigje.

Policia tutje ka shtuar se të gjithë personat që hyjnë në territorin e Kosovës dhe posedojnë rezultatin negativ për testin COVID-19, jo më të vjetër se 4 ditë nuk i nënshtrohen procedurave të vet izolimit.

Kurse, ata që nuk e kanë testin detyrohen të vetizolohen për 7 ditë.

“Policia realizon detyrat sipas procedurave të parapara ligjore dhe zbaton vendimin e Qeverisë”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

PK-ja në përgjigje ka paraqitur edhe statistikat qe i posedojnë gjatë 24 orëve të fundit nga Departamenti i Policisë Kufitare.

Sipas këtyre statistikave, në tri pikat kufitare në perëndim, lindje dhe në veri numri i veturave të kontrolluara në hyrje është 2120 dhe 2615 në dalje.

Numri i kamionëve të kontrolluar nga Policia kufitare në tri pikat e lartcekura kufitare, brenda 24 orëve të fundit është 682 në hyrje dhe 747 në dalje.

Ndërkaq, numri i autobusëve të kontrolluar është 42 në hyrje dhe 47 në dalje.

Kurse, numri i personave të kontrolluar në këto pika, është 5276 në hyrje dhe 6308 në dalje nga Kosova, si dhe numri i këmbësorëve të kontrolluar nga Policia kufitare është 471 në hyrje dhe 323 në dalje.