Starlink në Kosovë. Foto: ARKEP
StarLink autorizohet për ofrimin e shërbimeve në Kosovë
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) më 18.10.2024 ka lëshuar autorizimin e përgjithshëm për kompaninë Starlink, lider global për ofrimin e shërbimeve satelitore të qasjes në internet.
“Ky autorizim përfaqëson një hap të rëndësishëm për avansimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të territoririt të Republikës së Kosovës”- thuhet nga ARKEP.
Tutje, në këtë komunikatë theksohet se në të gjithë globin, Starlink “u ka mundësuar komuniteteve në nevojë të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, të mundësojnë punën në distancë dhe të ofrojnë mbështetje kritike të komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose raste tjera të emergjencave kombëtare”.
Sipas ARKEP, hyrja e kësaj kompanie në tregun vendor do të sjellë përfitime për ekonominë dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.
Në prill te 2024 Starlink nisi qasjen në Shqipëri.
Starlink është sistem interneti i bazuar në satelit që “SpaceX” e ka ndërtuar prej vitesh për të sjellë qasje në internet në zonat e pashërbyera të botës.