Stano (BE): Mbyllja e nëntë objekteve në veri çon në tensione të reja
Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka thënë se aksioni i autoriteteve kosovare si rezultat i së cilës u mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, çon në tensione të reja.
Ashtu siç u tha në reagimin e mbrëmshëm nga BE-ja, Stano ripërsëriti që po shohin më shumë veprime të pakoordinuara dhe të njëanshme nga qeveria e Kosovës.
“Tani po shohim më shumë hapa të njëanshëm, veprime të pakoordinuara. Ky nuk është shtensionim, kjo çon në tensione të reja. Një gjë e tillë duhet të kuptohet mirë nga ata që marrin vendime në Prishtinë” – tha Stano në një konferencë për media më 06.08.2024.
Sipas Stanos, Kosova e Serbia, kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 për telekomunikim.
Ndër të tjera, Stano tha që me këtë veprim që ka bërë Qeveria e Kosovës më 05.08.2024, do të ketë pasoja për qytetarët në veri të Kosovës.
Ai ripërsëriti që këto veprime janë shkelje e marrëveshjes së dialogut.
BE i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga BE-ja.
Edhe SHBA i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”- shkruan në deklaratën e Ambasadës.
Nëntë objektet ku vepronte Posta e Serbisë në veri të Kosovës janë mbyllur më 05.08.2024.
Këto posta, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, vepronin në mënyrë ilegale në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Lajmi për mbylljen e postave është konfirmuar për KALLXO.com nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicë Veriu, Veton Elshani.
Policia tha se ky aksion bazohet në informacionet zyrtare të institucioneve të Kosovës, siç është ARKEP, mbi dyshimin se janë duke operuar posta ilegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës.