Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq

Stanisiq dhe Simatoviq, të fortët e Sigurimit të Serbisë

Ish-zyrtarët e Sigurimit të Shtetit serb Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç do të dëgjojnë vendimin përfundimtar në Hagë këtë javë në rigjykimin e tyre për organizimin e njësive luftarake më famëkeqe serbe që luftuan në luftën në Kroaci dhe atë në Bosnjë.

“Njerëzit e Millosheviçit në terren” ishte përshkrimi më i zakonshëm i këtyre dy zyrtarëve kryesorë të sigurimit shtetëror serb – Jovica Stanisiç, shefi i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të ministrisë së brendshme, dhe krahut të tij i djathtë, Franko “Frenki” Simatoviç, komandanti i shërbimit i Njësisë së Operacioneve Speciale.

Të enjten, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, i cili po merret me çështjet e fundit të mbetura nga Gjykata e Hagës, do të japë vendimin e tij pas rigjykimit të dy burrave.

Aktakuza pretendon se ata ishin pjesë e një ndërmarrje të përbashkët kriminale së bashku me presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviç, udhëheqësin e Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli, liderin serb të Kroacisë Goran Haxhiç, komandantin serb të Kroacisë Milan Martiç, udhëheqësin serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç, shefin ushtarak serb të Bosnjës Ratko Mlladiç dhe ish-presidenten serbe të Bosnjës Biljana Plavsiç.

Qëllimi i tyre, thotë aktakuza, ishte largimi me forcë dhe i përhershëm i shumicës së jo-serbëve nga zona të mëdha të Kroacisë dhe Bosnjës.

Prokuroria beson se ata kontrolluan dhe përdorën njësi të ndryshme për këtë qëllim që nga 1991 e në vazhdim – Knindze (“Ninxhat” nga qyteti i Kninit), Akrepat, Tigrat e Arkanit (të njohur zyrtarisht si Garda Vullnetare Serbe), Beretat e Kuqe dhe Njësia e Operacioneve Speciale.

Udhëheqësi i njësisë Knindze, Dragan Vasiljkoviç, i njohur si Kapiten Dragani, u dënua nga një gjykatë kroate në 2017, por asnjë nga komandantët e njësive të tjera nuk është përballur kurrë me gjyqin për krime lufte.

Megjithatë, komandanti i fundit i Beretave të Kuqe, Milorad Ulemek, i njohur si Legija, u dënua me 40 vjet burg për rolin e tij në vrasjen e kryeministrit të ndjerë serb Zoran Djindjiç në 2003, ndërsa dy ish-komandantët e tjerë, Zeljko “Arkan” Raznatoviç dhe Radovan “Badza” Stojiciç, u vranë në të shtëna mafioze në Beograd pas luftës.

Sipas prokurorisë, njerëzit që organizuan, furnizuan, financuan, mbështetën dhe drejtuan trajnimin e këtyre njësive ishin Stanisiqi dhe Simatoviqi.

Transferim i dhunës më të keqe

Jovica Stanisiç dhe Sllobodan Millosheviç në një ceremoni në qendrën e trajnimit të Njësisë së Operacioneve Speciale në Kula, Serbi, 1997. Foto: Screenshot/ IRMCT.

Ideja për të formuar një njësi speciale që do të mbronte serbët jashtë vendit, në zonat e ish-Jugosllavisë të cilat ishin tashmë në prag të luftës, nisi në mars 1991 nga vetë Millosheviçi.

Ndërsa fliste në një mbledhje të udhëheqësve lokalë serbë, Millosheviçi tha: “Qeveria ka një detyrë të përgatisë grupe shtesë, të cilat do të na bëjnë të sigurt dhe do të na mundësojnë të mbrojmë interesat e republikës sonë, por edhe interesat e serbëve jashtë Serbisë.”

Iva Vukusiq, një historiane në Studimet e Konfliktit në Universitetin Utrecht në Holandë, tha se kishte tre arsye kryesore për krijimin e njësive paraushtarake; e para të plotësonin mungesat e trupave sepse “nuk kishte aq shumë njerëz që donin të merrnin pjesë në luftë”.

Arsyeja e dytë ishte të sigurohej “mohim i besueshëm”, tha Vukusiq. Ato mund të përdoreshin për të përmbushur qëllimet e shtetit, por në të njëjtën kohë, “shteti mund të thoshte ‘ne nuk kemi asnjë lidhje me këto njësi, këto njësi nuk janë pjesë e ushtrisë tonë, ato nuk janë një pjesë zyrtare e forcave tona të armatosura, kështu që ne nuk jemi përgjegjës për to’”.

“Kjo është një mënyrë e thjeshtë që shtetet t’ia transferojnë një pjesë të dhunës më të keqe, për shembull, aktorëve me të cilët ata nuk kanë zyrtarisht lidhje”, shpjegoi ajo.

Arsyeja e tretë, sipas Vukusiq, ishte sepse “njësi të tilla paraushtarake shpesh janë të hapura për njerëz me prejardhje kriminale, njerëz që vijnë nga një mjedis i dhunshëm dhe njerëz që nuk janë dhe aq të shqetësuar të respektojnë ligjin”.

Një muaj pas fjalimit të Millosheviçit, Jovica Stanisiq, i cili në atë kohë ishte shefi i Sigurimit të Shtetit, shkoi në qytetin kroat të Kninit me Dragan Vasiljkoviç për të ndihmuar rebelët lokalë serbë të formonin një njësi të fshehtë ushtarake, Knindze, e cila do t’i ndihmonte ata të ruanin Republikën e vetëshpallur të Krajinës Serbe.

Frenki, “shefi arrogant”

Njeriu që u kujdes për punën operacionale në terren ishte “Frenki” Simatoviq, i cili merrej me çështje të inteligjencës në në Kroaci dhe Bosnjë.

Sipas aktakuzës, Simatoviç “vepronte nën autoritetin e Jovica Stanisiç”, ndërsa shumë dëshmitarë në gjyq e përshkruanin atë si “sytë, veshët dhe krahun e djathtë” të Stanisiçit.

Adam Weber, një nga prokurorët në çështjen në Hagë nga viti 2009 në 2013, tha se Stanisiq dhe Simatoviq ishin “shkëndijat që i vunë zjarrin shtëpisë”.

“Po të shikoni rolin e tyre gjatë konfliktit, ata kishin një pjesë shumë të rëndësishme dhe kritike në shkaktimin dhe vazhdimin e fushatës së spastrimit etnik. Dua të them se përmes armatimit, mbështetjes së tyre financiare, përmes vendosjes së njësive speciale, ata vërtet ushqejnë tensionet etnik pushtojnë pjesën tjetër të Kroacisë dhe më pas Bosnjën dhe Hercegovinën”, shpjegoi Weber.

Pavarësisht nga fakti që Simatoviq nuk e pranoi që Sigurimi Shtetëror serb ka koordinuar apo kontrolluar ndonjëherë njësitë speciale në terren, një fjalim që ai mbajti në 1997 u bë prova thelbësore për prokurorinë pasi u duk se provonte se një njësi e fshehtë ishte krijuar nga autoritetet serbe vite më parë, në fillim të luftërave jugosllave.

“Njësia u formua në maj 1991, kur Jugosllavia po shpërbëhej dhe, që nga themelimi i saj, njësia funksionoi si një mjet për ruajtjen e sigurisë kombëtare të popullit serb… në të gjitha zonat e tyre etnike”, tha Simatoviq.

Një numër dëshmitarësh të tjerë në gjyqin e dy burrave konfirmuan se ata ishin në listën e pagave të Sigurimit Shtetëror Serb.

“Pagesat e Beretave të Kuqe bëheshin në dorë, në zarfe speciale, ndërsa si pjesë e Beretave njerëzit paguheshin dy herë më shumë sesa te Tigrat”, i tha gjykatës Dejan Sliskoviq, një ish-anëtar i njësisë në 2010.

Ish-anëtarë të tjerë pohuan se “të gjithë e dinin që ‘Frenki’ kontrollonte njësitë”. Disa e përshkruan atë si “shef dhe arrogant”.

Gjyqi gjithashtu dëgjoi se komandantë të ndryshëm, të tillë si Arkani ose Legija, “vinin rregullisht për konsultë në selinë e Stanisiçit dhe Frenkit”.

Vukusiq tha se dihej nga të gjithë që Simatoviqi operonte në terren.

“Njerëzit në fakt thjesht i referoheshin si ‘Frenki’. Ai ishte aq i njohur saqë ka dokumente që ai thjesht i firmos si Frenki. Kjo do të thotë që njerëzit të njohin”, tha ajo.

Ndërsa konflikti filloi të përhapej në zona të tjera të ish-Jugosllavisë në fillimin e viteve 1990, lidershipi serb vendosi të caktonte edhe një person tjetër përveç Frenkit dhe caktoi Radovan “Badza” Stojiciq si kreun e forcave të Mbrojtjes Territoriale.

Prokuroria e renditi Stojiçiqin si një pjesë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale së bashku me Millosheviçin, Simatoviqin dhe Stanisiqin, por asnjëherë nuk e paditi atë. Për operacionet më brutale në pjesë të Kroacisë dhe Bosnjës lindore, Stojiciq angazhoi Arkanin dhe njësinë e tij Gardën Vullnetare Serbe, të njohur gjerësisht si Tigrat.

Sipas aktakuzës ndaj Simatoviqit dhe Stanisiqit, njerëzit e Arkanit ishin përgjegjës për vrasjen e të paktën 40 të ndaluarve pranë malit Dalj në Kroaci dhe 26 civilëve kroatë të cilët u hodhën në lumin Danub, ndërsa në Bosnjë, Tigrat thuhet se vranë të paktën 80 njerëz në qytetin e Sanski Mostit dhe 20 civilë jo serbë në qytetin e Zvornikut.

Arkani, i cili u padit për krime lufte në 1996, nuk doli kurrë në gjyq sepse u qëllua për vdekje në Beograd në 2000.

Rënia e Stanisiqit

Jovica Stanisiç (i dyti nga e djathta) me presidenten serbe të Bosnjes Biljana Plavsiç (e treta nga e djathta) në aeroportin e Banja Lukës në shtator 1997. Foto: EPA/DRAGO VEJNOVIC.

Në vitin 1998, dy vjet pasi Njësia e Operacioneve Speciale u krijua zyrtarisht, Stanisiq u hoq nga pozicioni i tij si shefi i Sigurimit të Shtetit. Pas përfundimit të luftës në Bosnjë, në Beograd kishin shpërthyer protestat kundër Millosheviçit dhe Stanisiqi takoi në disa raste liderët e opozitës, duke ngritur dyshime për besnikërinë e tij.

Millosheviçi gjithashtu dyshonte se Stanisiqi kishte lidhje me shërbime të huaja sekrete, përfshirë CIA-n, sepse ai mbrojti idenë që komuniteti ndërkombëtar të përfshihej në konfliktin në Kosovë.

Si rezultat, Stanisiqi u pushua nga puna. Megjithatë, gazetari veteran serb Milos Vasiç pretendon se Stanisiç në të vërtetë dha dorëheqjen sepse “ai e kishte të qartë që në fillim se e gjithë kjo gjë nuk do të përfundonte mirë”.

Stanisiqi doli në pension në korrik 2000, pasuar nga Simatoviçi në dhjetor 2001.

Njësia e Operacioneve Speciale ekzistoi deri në vitin 2003, kur u shpërbë për shkak se shumë prej anëtarëve të saj, përfshirë Legija, ishin të përfshirë drejtpërdrejt në vrasjen e kryeministrit serb Djindjiç.

Në të njëjtin vit, prokuroria e Hagës ngriti një aktakuzë duke akuzuar Stanisiçin dhe Simatoviçin për vrasje, përndjekje mbi baza politike, racore dhe fetare, dëbim dhe veprime çnjerëzore.

Ata u arrestuan menjëherë pas kësaj dhe gjyqi i tyre filloi në 2008. Të dy burrat u vetëdeklaruan të pafajshëm dhe u liruan nga akuzat në 2013, por vendimi u rrëzua në 2015. Ata u vetëdeklaruan të pafajshëm përsëri kur filloi rigjykimi.

Stanisiqi nuk ka marrë pjesë në seancat dëgjimore që nga viti 2017, kur iu dha lirimi i përkohshëm sepse vuan nga një sëmundje kronike dhe depresioni, megjithëse pritet të jetë në gjykatë për vendimin.