Vota, QNR FOTO-KALLXO.com

Standardi i dyfishtë i KQZ-së për pranimin e votave me vonesë

Mbi 4 mijë zarfe me vota të ardhura me postë për zgjedhjet e 6 tetorit nuk janë procesuar për numërim për shkak se kanë arritur pas afatit ligjor, përkatësisht pas datës 6 tetor në Kosovë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka marrë asnjëherë vendim me shkrim për mospranimin e këtyre votave pasi sipas kryesueses Valdete Daka, kjo çështje është e vendosur me ligj.

Sipas Dakës, nuk mund të ketë përjashtim për këto vota edhepse ato ishin nisur me kohë dhe faji për vonesën e tyre është tek posta.

“ Na as që kemi me marrë vendim ndonjëherë sepse asnjëherë nuk kemi marrë vendim. Është ligji është shumë i qartë ku thotë se vota nga diaspora duhet me qenë në KQZ 24 orë para ditës së zgjedhjeve”, tha Daka.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, ku u diskutua lidhur me zgjedhjet e 6 tetorit , Daka megjithatë e pranoi se vota të ardhura me vonesë ishin pranuar në vitin 2017

“ Kemi marrë një vendim në vitin 2017, ka qenë kërkesë e disa subjekteve politike. Nuk mundemi me zgjatë në pafundësi marrjen e zarfeve. Herën e kaluar ka qenë një ditë vonesë dhe ka qenë numër i vogël i votave”, tha Daka.

Lidhur me mospranimin e këtyre votave, Organizata Jo Qeveritare “Germin” që merret me çështje të diasporës ka bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Ankesë për të njëjtën çështje ka bërë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Të dy këto ankesa janë hedhur poshtë nga PZAP për shkak se lidhur me këtë nuk ka pasur asnjëerë vendim nga KQZ.

Këtë e shpjegoi Gyltene Sylejmani, kryesuese e PZAP.

“Me datën 18.11.2019 e kemi pranuar ankesën dhe e kemi vlerësuar pranueshmërinë e ankesës.Ankesa ka qenë me u procedu 4639 fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës që kanë ardhur pas datës së zgjedhjeve. Ato janë nisur me kohë. KQZ duhet të vendosë për këtë çështje. Nuk kemi pasur vendim të KQZ-së për këtë arsye e kemi hudhë ankesën”, tha ajo.

Momentalisht KQZ është drejt fundit në procesin e numërimit dhe rinumërimit të disa kutive për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Deri më tani, fituese nga këto zgjedhje ka dalur Lëvizja Vetëvendosje e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lidhur me zgjedhjet e 6 tetorit dhe sfidat që e kanë përcjellur procesin e numërimit flasin:: Valdete Daka nga KQZ, Florent Spahija nga Demokracia në Veprim,  Laura Pula nga Prokuroria e Kosovës dhe Gyltene Sylejmani nga PZAP.

Në linkun e mëposhtëm mund ta ndiqni emisionin e plotë  “Jeta në Kosovë”.