Çekani i drejtesise - Ilustrim

Standardet e munguara për OJQ-të dhe sfidat e financimit të ndihmës juridike

Nga fillimi i vitit, viktimat e dhunës në familje, ato me bazë gjinore dhe viktimat e dhunës seksuale, janë përfituese të drejtëprdrejta të ndihmës juridike falas. Bashkë me to përfituese janë edhe kategori të tjera të diskriminuara.

Në bazë të ligjit, këto kategori kanë të drejtë për ndihmë falas dhe asistencë ligjore.

Ligji parasheh që një pjesë e punës në ndihmën juridike falas mund të realizohet nga organizatat e shoqërisë civile apo organizatat përfaqësuese të komuniteteve në fjalë. Kjo ndihmë sipas ligjit do të duhej të organizohej në partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë që Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ende nuk ka arritur të garantojë një proces të licencimit të organizatave që ofrojnë ndihmën juridike falas.

Në mungesë të kësaj Agjencia nuk ka të planifikuar as përkrahje financiare dhe mbështetje tjetër për OJQ-të që ofrojnë ndihmë juridike falas.

Në mbarë vendin janë më pak se 10 organizata që ofrojnë ndihmë juridike falas ndërsa ngritja e kapaciteteve të tyre sfidohet nga shumë faktorë.

Një hulumtim i Internews Kosova tregon se kapacitetet e OJQ-ve në ofrimin e ndihmës nuk janë rritur në vitet e fundit.

Hulumtimi zbardh se problemet nisin nga vetë Agjencia. Institucioni i ka të financuara zyrat mobile për ndihmën juridike nga Qeveria gjermane.

Si rrjedhojë Agjencia vazhdon të ketë shtrirje jo të barabartë në të gjitha komunat e vendit.

Momentalisht zyrat mobile të 6 komunave financohen nga GIZ në emër të Republikës Federale të Gjermanisë, por kjo përmes projekteve afatshkurta dhe afatmesme të cilat ngrenë pikëpyetje substanciale për vazhdimësinë e qendrave mobile pas përfundimit të tyre.

Flutura Zena, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, ka treguar se sipas marrëveshjes që e kanë me GIZ përkrahja financiare nga ta përfundon më 30 qershor 2023.

Gjatë tri viteve të fundit nga buxheti i shtetit për çdo vit Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas i janë ndarë rreth 440,000 euro.

Por krahas parasë publike të vendit, Agjencia ka përfituar edhe donacione të tjera të cilat tejkalojnë shumën 200 mijë euro në tre vitet e fundit.

Në përgjigjet e tyre nga ANJF tregojnë se kanë kërkuar fonde publike shtesë në mënyrë që t’i realizojnë obligimet për zyrat mobile, sigurimin e resurseve të nevojshme njerëzore, përkrahjen e fushatave për ngritjen  e vetëdijes së qytetarëve për shërbimet që ofrohen nga ANJF, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet përkatëse.

Përpos stafit dhe buxhetit Agjencia ka probleme edhe të qasjes.

Kur janë pyetur se sa të qasshme i kanë objektet nga personat me aftësi të kufizuara, përkatësisht nëse posedojnë pjerrësi, lift dhe sinjalistikë adekuate për të shurdhër, stafi ka treguar se Agjencia funksionon në 27 komuna në të cilat mungon sinjalistika, qasja për persona me aftësi të kufizuara në 10 komuna është e vështirësuar, ndërsa në 17 komuna ka qasje të mirë.
Në lidhje me përpjekjet për të ndryshuar këtë realitet të dhimbshëm për këtë kategori personash, Agjencia ka treguar se në çdo rast kur kërkon sigurimin e hapësirave për zyra, potencon karakteristikat dhe palët që frekuentojnë Agjencinë dhe njëkohësisht kërkon zyrë e cila është e qasshme edhe për personat me aftësi të kufizuara.

Financimi i OJQ-ve

Më pak se 10 organizata joqeveritare në mbarë vendin merren me ofrimin e shërbimeve juridike falas dhe promovimin e këtij shërbimi.

Të dhënat tregojnë që organizatat janë përkrahur nga fondet e donatorëve për shkak se vendi nuk ka një skemë të qëndrueshme të financimit të tyre.

Organizata CEL Kosova  ofron shërbimin e ndihmës juridike falas në linjë me misionin e saj për një shoqëri progresive, të larmishme dhe tolerante në Kosovë ndaj komunitetit LGBT.

Ky komunitet është në mesin e komuniteteve të atakuara në vend, sidomos me akte të dhunshme ndaj tyre.

Sipas përfaqësuesve të organizatës, tërë financimi,  i cili nuk kalon shumën 6,500 euro, është i bazuar në fondet e organizatave ndërkombëtare.

Organizata tjetër CLARD Kosovo operon me 160,000 euro në vit për dhënien e kësaj ndihme, të siguruara nga Ambasada amerikane, Ambasada britanike dhe Komisioni Evropian, pa e prekur ndonjëherë buxhetin e shtetit, sipas tyre, qysh prej themelimit.

Dy organizatat kanë projekte afatshkurta, të cilat nuk garantojnë qëndrueshmëri.

CEL Kosova thotë se akoma nuk ka arritur të krijojë një mbështetje të qëndrueshme nga ndonjë donator, por pohon të jetë në proces të draftimit të një strategjie afatgjate për këtë aspekt.

CLARD Kosovo thotë se mbështetjen më të qëndrueshme e ka nga Ambasada amerikane në Kosovë por as kjo përkrahje, sipas saj, nuk është ndonjë qëndrueshmëri e sigurt.

Përpos sfidave financiare organizatat kanë sfidë edhe ambientet e punës ku i zhvillojnë aktivitetet.

CEL Kosova nuk ka një objekt të vetin. Nga organizata tregojnë se kanë qenë në përpjekje dhe bisedime të vazhdueshme me Komunën e Prishtinës për shfrytëzimin e një hapësire publike në funksion të Drop-In Centre, ku do të kryenin edhe aktivitetin e nevojshën për dhënien e ndihmës juridike falas përveç tjerash, por që pavarësisht premtimeve, ende nuk është në shfrytëzim të tyre.

As organizata CLARD Kosova nuk ka në pronësi një hapësirë të saj. Nga organizata tregojnë se asnjëherë as nuk kanë tentuar ta sigurojnë atë me qëllim të shmangies së ndikimeve. Por, megjithatë, tregojnë se në bazë të marrëveshjeve për klinikat ligjore nëpër komuna shfrytëzojnë hapësirat e Qendrave për Punë Sociale.

Sfidat e legjislacionit

Organizimi i ndihmës juridike duke i përfshirë OJQ-të sipas ligjit do duhej t’i nënshtrohej një standardi të rregulluar ligjor.

Për shumë vite Agjencia nuk ka arritur ta hartojë rregulloren për ta standardizuar këtë punë.

Të dhënat nga Agjencia tregojnë se rregullorja për përcaktimin e kritereve për ofrimin e ndihmës juridike falas nga organizatat joqeveritare në partneritet me Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas është në stad drafti të dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë.

Qëllimi i kësaj rregulloreje është krijimi i partnertitetit mes ANJF-së dhe OJQ-së përmes përcaktimit të kritereve të përgjithshme dhe të veçanta.

Edhe akte të tjera janë duke pritur: Rregullorja për themelimin e Komisionit për Ankesa; Udhëzimi administrativ për tarifat dhe kompensimin e shërbimeve të kryera nga avokatët lidhur me shërbimet e autorizuara të ndihmës juridike falas; Udhëzimi administrativ për procedurat e angazhimit të avokatëve në shërbimet e autorizuara të ndihmës juridike falas; Udhëzimi administrativ për përmbajtjen e formularit për paraqitjen e kërkesës për ndihmë juridike falas.

CEL Kosova ka treguar se funksionon në bazë të ligjeve pozitive që rregullojnë statutin e OJQ-ve dhe se po ashtu ka një rregullore mbi konfidencialitetin.

Nga CLARD Kosova është bërë e ditur se përveç statutit dhe rregullores së punës kanë edhe rregulloren per administratë dhe financa dhe gjithashtu edhe rregulloren për shërbime juridike falas.

Hulumtimi ka dashur të nxjerrë në pah edhe aspektin kuantitativ dhe kualitativ të stafit të këtyre institucioneve që ofrojnë ndihmë juridike falas.

CEL Kosova ka treguar se për këtë shërbim ka në dispozicion edhe juristë por edhe psikologë të kualifikuar. Rekrutimi në këtë organizatë bëhet sipas tenderimit publik.

CLARD Kosovo aktualisht ka 7 juristë me përvojë pune prej 7 deri në 12 vjet, dy me provim të jurisprudencës dhe 15 avokatë bashkëpunëtorë të jashtëm me shërbime pro bono. Politika e tyre e rekrutimit është e mbështetur në rregulloren e punës dhe Ligjin e punës.

Në lidhje me përpjekjet për ngritje të kapaciteteve të stafit me profesionistë nga brenda apo jashtë organizatës, ANJF ka treguar se zyra e personelit ka ndërmarrë hapa për ngritjen profesionale të stafit nëpërmjet trajnimeve të ndryshme, ku stafi është certifikuar nga institucioni i specializuar Instituti i Administratës Publike i Kosovës (IKAP). Por, ata tregojnë se duke marrë parasysh specifikën e shërbimit të ANJF-së, trajnimet për stafin e ANJF-së kanë qenë të kufizuara. Theksojnë se stafi që ofron shërbime juridike ka nevojë për trajnime në mënyrë të vazhdueshme për të qenë koherent me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Po ashtu, Agjencia me përkrahjen e USAID-JAK ka trajnuar për trajnerë stafin e brendshëm, i cili, sipas vlerësimeve, ofron trajnime në punë për zyrtarët.

OJQ-të nuk kanë përmendur trajnime të tjera përveç përgatitjes vetanake të stafit.

E pyetur lidhur me angazhimin e studentëve, vullnetarëve, për të kontribuar në dhënien e ndihmës juridike falas, duke krijuar bashkëpunime dyanshëm frytdhënëse, ANJF ka përmendur angazhimin e studentëve për të kryer praktikën dhe kontribuar aty. Në baza vjetore përmes Javës së Ndihmës Juridike Falas kjo Agjenci promovon mundësinë e studentëve për t’u angazhuar në këtë shërbim.

CEL Kosova thotë se nuk ka vullnetarë të angazhuar.

CLARD Kosovo ka treguar se një nga shtyllat e misionit të organizatës është mbështetja e juristëve të rinj në kuadër të programit për praktikë përfshirë studentë vendas dhe të huaj. Në kuadër të strategjisë kanë numëruar edhe vullnetarët profesionistë: avokatë, profesorë, gjyqtarë dhe prokurorë si dhe vullnetarë nga organizatat partnere ndërkombëtare.

Por, marrë parasysh volumin e rasteve kombinuar me gjendjen socio-ekonomike në vend, hulumtimi deshi të nxjerrë në dritë nëse ofruesit respektivë kishin një politikë të caktuar për mënyrën se si i trajtojnë rastet, më saktësisht nëse një natyrë apo specifikë e caktuar u jep përparësi rasteve të caktuara apo puna realizohet në bazë të parimit “i pari në kohë, i pari në të drejtë”.

ANJF me përkrahjen e USAID-it ka hartuar udhëzues për procesimin e rasteve për ndihmë juridike falas, në të cilin u jepet përparësi rasteve të viktimave të dhunës dhe grupeve të margjinalizuara. Po ashtu ka edhe  Manualin e praktikuesve të ndihmës juridike në Kosovë – çështjet civile, familjare dhe pasurore-juridike. Tani është në proces të hartimit të Manualit të praktikuesve të ndihmës juridike në Kosovë – çështjet administrative. CEL Kosova ka treguar se përparësi u jepet rasteve me rrezikshmëri më të lartë.

Kurse te CLARD Kosovo politika e trajtimit dhe menaxhimit të rasteve është e rregulluar me rregulloren e punës dhe me rregulloren e shërbimeve juridike falas.

Lidhur me sfidat që vetë entitetet i shohin si më të vështirat, që të tria e identifikuan komponentin e qëndrueshmërisë financiare.

ANJF ka numëruar pasojat e krijuara nga limitet financiare, duke përmendur pamundësinë e shtrirjes së drejtë dhe të barabartë të ndihmës juridike falas në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës; avancimin e sistemit të ndihmës juridike falas në drejtim të unifikimit të ndihmës juridike falas në tërë vendin; numri i pamjaftueshëm i stafit; sensibilizimin dhe vetëdijesimin e publikut, veçmas i grupeve të interesit, për shërbimet që u ofrohen nga ANJF-ja; sigurimin e mjeteve buxhetore për aftësimin profesional të stafit; sigurimim e mjeteve buxhetore për zbatimin e plotësim ndryshimit të Ligjit për ndihmë juridike falas si dhe sigurimin e hapësirave të punës për ANJF-në në Prishtinë në objektet publike.

Ndërsa CEL Kosova po ashtu e identifikoi problematike mungesën e një hapësire të veten.

Marrë parasysh se si shtet i ri ne në vazhdimësi kemi “përfituar” nga përvojat e shteteve të tjera, pjesë e hulumtimit ishte edhe dëshira për të ditur në lidhje me modele homologe të shfrytëzuara.

Zyrtarët e ANJF pohojnë se përcjellin ndihmën juridike falas të vendeve të ndryshme ndërkombëtare dhe kanë vrojtuar se është për t’u marrë model buxheti i caktuar për kokë banori. Ata thonë se sa u përket vendeve fqinje, krahasimisht mendojnë se Republika e Kosovës ka sistemin më të mirë të ndihmës juridike falas. CEL Kosova ka treguar vetëm se modelet e organizatave homologe i kombinon dhe i përshtat në kontekst të vendit tonë. Kurse, CLARD Kosovo, e cila ka një përvojë të gjatë në ofrimin e këtij shërbimi, ka treguar se meqenëse në periudhën kur organizata ka filluar aktivitetet nuk ka pasur ndonjë organizatë apo institucion vendor i cili ka ofruar shërbime juridike falas, si model të punës i kanë marrë organizatat nga vendet e Bashkimit Evropian dhe SHBA.

Ani pse shërbimi ofrohet falas cilësia e tij nuk vihet në diskutim në shtetet me sisteme juridike të avansuara.

Sipas ANJF, bazuar në rezultatet e kutive të kënaqshmërisë së palëve, rezulton se kënaqshmëria në 2 vitet e fundit është mbi 96 %.

Çka është ndihma juridike falas?

Ndihma juridike falas është një obligim ndërkombëtar për shtetet që nëpërmjet saj të sigurojnë qasje efektive në drejtësi për të gjithë ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta siguruar atë.

Kategoritë të cilat përfitojnë nga kjo ndihmë, parimisht shtetërore, janë të parapara me ligj. Por, kurdoherë që interesi i drejtësisë e kërkon që kjo ndihmë t’u jepet inidivdëve të caktuar ajo jepet pavarësisht këtyre kategorive.
Në Bashkimin Evropian rëndësia dhe funksioni i këtij shërbimi nuk vihet në diskutim. Të gjitha vendet anëtare e ofrojnë atë. Por nuk ekzistojnë standarde apo kritere të unifikuara mes tyre në këtë segment ndaj dhe është e pamundur të matet dhe të bëhet vlerësimi i cilësisë së ofrimit të shërbimit brenda dhe midis vendeve të ndryshme.
Sipas rregullimit ligjor në vendin tonë, ndihma juridike falas përfshin: informatat dhe këshillat juridike lidhur me procedurat ligjore; përpilimin e shkresave dhe tërë asistencën tjetër teknike që ka të bëjë me kompletimin e lëndës; dhe përfaqësimin në procedurën civile, penale, administrative dhe kundërvajtëse.

Korniza juridike e Kosovës sa i përket dhënies së ndihmës juridike

Ndihma juridike falas në Kosovë jepet në përputhshmëri me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilës ‘e drejta në ndihmë juridike falas është e garantuar në rastet kur i akuzuari nuk ka mjete të mjaftueshme për të paguar për ndihmë juridike dhe në rastet kur interesi i drejtësisë e kërkon’, dhe po ashtu me Kartën e të Drejtave Fundamentale të Bashkimit Evropian.
Kur flasim për legjislacionin vendor, ajo e ka burimin nga akti më i lartë juridik i vendit – Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila e përcakton Ligjin për ndihmë juridike falas si aktin kryesor rregullues të saj. Marrë parasysh se kjo ndihmë ofrohet në të gjitha llojet e procedurave: administrative, kundërvajtëse, civile dhe penale, domosdo fushëveprimi i gjerë bën që edhe ligjet e tjera të përmbajnë rregulla për të.  P.sh. dispozita të caktuara për NJF gjenden në Ligjin për procedurën civile dhe Kodin e procedurës penale. Dobësia e sistemit tonë juridik në këtë pikë qëndron në mosharmonizimin e këtyre dispozitave gjë që shkakton probleme në praktikën juridike.

Struktura ofruese e ndihmës juridike falas në Kosovë

Ndonëse bazuar në Ligjin për ndihmë juridike falas ofruesit e ndihmës janë: Agjencia për Ndihmë Juridike Falas (përmes zyrave rajonale dhe zyrave mobile), avokatët, dhe organizatat joqeveritare kur hyjnë në partneritet me Agjencinë. De facto ofrues kryesorë të ndihmës juridike falas në Kosovë janë edhe: Oda e Avokatëve të Kosovës edhe Institucioni i Avokatit të Popullit.
Komisioni Evropian ka identifikuar një sistem të përzier të ofrimit të kësaj ndihme në vendin tonë, përkatësisht dy lloje të skemave: njëra e ofruar nga avokatët e caktuar ex officio nga gjykata, dhe kryesisht në rastet penale, dhe skemën e dytë që ka të bëjë me ndihmën juridike të ofruar nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, që përfshin rastet e tjera përveç disa rasteve penale. Me ndryshimet e reja të ligjit, përveç kategorive të lartëpermendura, nga ky shërbim do të përfitojnë edhe: viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë të viteve 1998-1999; viktimat dëshmitare të dhunës, të cilët janë në varësinë e viktimave të dhunës ne familje; viktimat e mitura; fëmijët që jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore si dhe fëmijëve nën kujdestari që kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor.