Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Stafi shëndetësor mbështetës për vaksinim ende nuk i kanë marrë pagat e muajit prill

Stafi mbështetës shëndetësorë të cilët janë angazhuar për luftimin e pandemisë COVID-19, nëpër Qendrat e Vaksnimit në Kosovë, ende nuk i kanë marrë pagat e muajit prill të këtij viti.

KALLXO.com ka marrë raportime nga Qendrat e Vaksnimit në Suharekë, Fushë Kosovë dhe Gjilan, se stafi mbështetës atje nuk u janë paguar pagat e muajit prill.

Ministria e Shëndetësisë e ka konfirmuar se punëtorët shëndetësorë nuk janë paguar edhe nëpër komuna të tjera, por që nuk kanë treguar saktë se për cilat bëhet fjalë.

MSh poashtu nuk kanë dhënë arsye se pse janë duke u vonuar pagat.

Sipas përgjigjes me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë, kjo ministri bashkë me atë të Financave janë duke e trajtuar çështjen.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave janë duke e trajtuar çështjen që ka të bëjë me pagesën e punonjësve të angazhuar si staf për ballafaqim me pandeminë COVID-19. Nuk është vetëm Suhareka, ka edhe nga komunat e tjera dhe për të gjithë është duke u bërë përpjekje që të kryhen pagesa”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

KALLXO.com ka kërkuar informata shtesë nga Ministria e Shëndetësisë, por deri në publikimin e këtij artikulli, ata nuk kanë kthyer përgjigje. Gjithashtu, është kontaktuar edhe Ministria e Financave, por këta të fundit kanë kërkuar që për rastin të kontaktohet Ministria e Shëndetësisë.

Sipas raportimit, vetëm në komunën e Suharekës janë mbi 20 punëtorë shëndetësorë që ende nuk i kanë marrë pagat e muajit prill.

Problem të ngjashëm, sipas raportimit, kanë pasur edhe në muajin shkurt.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me kryetaren e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imerin, për ta pyetur se a kanë informata për rastin, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme përmes telefonit.

E paqasshme në telefon ka qenë edhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha – Bunjaku.

Punëtorët shtesë në shëndetësi u patën angazhuar nga qershori i vitit 2021, për tu përballur me pandeminë COVID-19, duke u shpërndarë nëpër Qendrat e Vaksinimit nëpër komuna.