Stafi administrativ i Prokurorisë Speciale nga nesër në grevë

Stafi mbështetës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) nga dita e nesërme do të hyjë në grevë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar anëtari i këshillit grevist, Ismet Cani, i cili ka thënë se punonjësit e administratës së PSRK-së do t’i bashkëngjiten grevës së gjykatave dhe prokurorive.

“Ju njoftojmë se sot me datë 2 mars 2022, është marrë vendim që punonjësit e administratës së PSRK-së nga dita e nesërme do të hyjnë në grevë”, ka thënë Cani.

Ai ka bërë të ditur se administrata e Prokurorisë Speciale do të procedojë vetëm me raste të natyrës urgjente.

KALLXO.com raportoi sot se punëtorët e administratës të Gjykatës së Prishtinës po vazhdojnë grevën.

Greva po mbahet me kërkesën për aprovimin e Ligjit për punëtorët e administratave të gjykatave dhe prokurorive.

Greva për momentin ka pezulluar seancat gjyqësore, me përjashtim te rasteve të paraburgimit dhe të dhunës në familje.