Stadiumi më i madh në Gjermani do bëhet qendër për trajtimin e COVID-19

Stadiumi më i madh i futbollit në Gjermani- ai i Westfalen do shndërrohet në një qendër për trajtimin e coronavirusit që nga nesër, konfirmoi ekipi i futbollit Borussia Dortmund në një deklaratë.

“Prej nesër, të shtunën, fokusi në arenën veriore të SIGNAL IDUNA PARK nuk do jetë futbolli, por trajtimi i rasteve të dyshuara më coronavirus dhe pacientëve me simptoma përkatëse”, thuhet në deklaratë.

Drejtorët menaxhues të Dortmundit Hans- Joachim Watzke dhe Carsen Cramer thanë se ai “është një vend ideal për të ndihmuar njerëzit.”

“Stadiumi ynë është koka e qytetit, një pikë fikse për pothuajse të gjithë në Dortmund dhe zonën përreth dhe, falë kushteve të tij teknike, infrastrukturore dhe hapësinore, është vendi ideal për të ndihmuar në mënyrë aktive njerëzit që janë të infektuar potencialisht nga coronavirusi ose të cilët ankohen për simptoma përkatëse si sëmundje të frymëmarrjes dhe ethe”, thanë ata në deklaratë.

Ata thanë se është “detyrë e jona dhe dëshirë e jona” të bëjnë gjithcka që është e mundur për të ndihmuar.

Klubi tha se kanë transformuar stadiumin me shërbime shëndetësore të kujdesit lokal në Westphalia.