Stadiumi i Skenderajt do të ndërtohet në Prekaz

Kuvendi komunal i Skenderajt ka votuar të mërkurën që të ndërpriten të gjitha investimet e parapara për stadiumin e qytetit “Bajram Aliu”.

Kryetari Bekim Jashari në këtë seancë tha se kanë në plan që stadiumin ta zhvendosin në Prekaz mbi lagjen Jashari përkatësisht mbi fshatin Klinë e Ulët, pranë fushës sintetike.

Jashari tha se ky ndryshim po ndodh për shkak se stadiumi në lokacionin aktual nuk i përmbush kriteret e kërkuara nga UEFA dhe FIFA.

“Prona e destinuar për ndërtimin e tribunave, rrethojave dhe shtrimin e zhavorrit në stadiumin hiqet nga vendimi me këtë propozim-vendim. Arsyeja pse hiqet, është sepse stadiumi aktualisht ku është nuk na plotëson kriteret e kërkuara nga UEFA e as nga FIFA, neve këtu bashkërisht kemi marrë vendim për kompleksin sportiv që kemi dedikuar prej mbi 13 hektarëve, jemi dakorduar që si komunë dhe ministrinë e kulturës, rinisë dhe sportit, që mjetet e dedikuara për stadiumin aktual për vitet e parapara që të vazhdojmë stadiumin e ri në kompleksin sportiv atje lart që i bie mbi lagjen Jashari dhe mbi fshatin Klinë e Poshtme që është edhe fusha sintetike, ka hapësirë të mjaftueshme e do t’i plotësojë të gjitha kriteret e kërkuara. Kemi bë marrëveshje gojore. Është gjynah që të gjitha ato të holla me i harxhu në këtë lokacionin aktual”, ka thënë Jashari.

KALLXO.com ka raportuar më 18 qershor 2019 se një pjesë e fushës në Skenderaj është “shembur” rreth 6 muaj pas përurimit të tij.

Fusha sintetike me bari artificial në Skenderaj është përuruar në fund të nëntorit të vitit të 2018.

Projekti kishte kushtuar 450 mijë euro dhe është bashkëfinancuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe UEFA.