Stadiumi i klubit ‘FC Barileva’ i përmbytur nga uji - VIDEO

Stadiumi i klubit të futbollit ‘FC Barileva’ është i mbushur me ujë dhe kjo po iu pamundëson atyre t’i zhvillojnë trajnimet dhe ndeshjet në të.

Sipas klubit, kjo gjendje e stadiumit është që një kohë të gjatë, që nga pas lufta, dhe veçanërisht gjatë këtij viti kur edhe ndodhën vërshime.

Durim Berisha, president i klubit ‘FC Barileva’ para kamerave të KALLXO.com ka thënë se kjo gjendje është për shkak të lumit që del nga shtrati dhe ndodhet në afërsi të stadiumit.

‘’Në këtë gjendje është për shkak të lumit që rritet niveli i lumit edhe tani e merr edhe pjesën e stadiumit. Ju tregova që kjo gjendje është domethënë çdo herë’’- ka thënë Berisha.

Nga komuna, Granit Rugova, drejtor i Drejtorisë së Sportit, tha se janë në dijeni për këtë gjendje të stadiumit, dhe sipas tyre trajtimi i lumit do të mundësonte të mos ndodhte kjo.

”Iniciativa ka qenë me shiku edhe qysh me u mundu klubi edhe me drejtori tjera me shiku se qysh me trajtu lumin, sepse lumi del prej shtratit, edhe tash kur po ka vërshime, lumi po del prej shtratit edhe ajo po është një prej arsyeve pse po del uji në këtë anën këndej. Nëse trajtohet lumi domethënë, ndoshta ajo nuk ndodhë hiç”- është deklaruar, Rugova.

Për shkak të kësaj gjendje, klubi është i detyruar t’i zhvillojë ndeshjet jashtë fushës së tij.

“Po për momentin, prej gjysmës së dytë të sezonës në ligën rajonale nuk jemi duke zhvilluar asnjë ndeshje në sezonin pranveror, jemi duke i zhvilluar jashtë stadiumit të Barilevës ndeshjet, kjo po është një vështirësi shumë e madhe për ne si klub, për fëmijët, për të gjithë, pasi që edhe shikueshmëria në këtë vend është shumë e madhe”- është shprehur Berisha.

Kurse, trajnimet dhe ushtrimet Berisha tregon se i mbajnë në salla sportive.

“Trajnimet edhe ushtrimet jemi duke i mbajt në fusha të mbuluara, mbrenda nëpër salla, zakonisht i pagujmë sallat. Mirëpo, kjo po na e pamundëson më shumë zhvillimin e talentëve, pasi që jemi duke marrë pjesë edhe në ekpin e parë, në ekipin e seniorëve dhe në ligën e tretë të regjionit të Prishtinës”- ka treguar Berisha.

Ata kanë bërë një numër kërkesash të vazhdueshme në komunë dhe Federatë të Futbollit të Kosovës (FFK) që ta rregullojnë stadiumin dhe përgjigjja e komunës është që do të intervenojë sa më parë.

Ndërkohë, komuna e Prishtinës në buxhetin e vitit 2023, ka ndarë buxhet prej 50,000 euro vetëm për zhveshtoret e këtij stadium, këtë e ka konfirmuar edhe Rugova.

”Ne për këtë vit i kemi ndarë 50,000 euro për stadium të Barilevës, në koordinim me klubin e kanë parë të arsyeshme që me intervenu në zhveshtore. Kemi qenë në takim me ta edhe ata kanë thënë që m’i ba zhveshtoret, se realisht krejt ajo hapësirë përkundër faktit qysh e ka gjendjen, nuk ka zhveshtore, banjo hiç. Te pjesa e kontrinjerëve aty kemi mendu me ba një zheshtore me toilet”- ka thënë Rugova, në komunikatën e tij me telefon.

Mirëpo, Berisha bën thirrje që t’i ndihmojnë në infrastrukturë, të cilin edhe e cilëson si problem kryesor.

“Ky fshat, po them për fshatin Barilevë edhe për fshatrat për rreth fëmijët që i kemi, sepse janë diku afër 7 ose 8 fshatra që janë të rrethinës, që zhvillojnë aktivitetin fëmijët. Bëjë apel te komuna, Federata, të gjitha institucionet që të na ndihmojnë sa më shumë në infrastrukturë” – shtoi Berisha.

KALLXO.com e ka kontaktuar edhe Federatën e Futbollit të Kosovës lidhur me këtë çështje, mirëpo ata nuk kanë dhënë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Klubi i futbollit ‘FC Barileva’ është themeluar në nëntor të vitit 2021 dhe është pjesë e FFK-së.