Srebrenica, Kurti: Kurrë më mos pastë Ballkani as bota shtet me ambicie gjenocidale

Kryeministri i Kosovës ka reaguar në përvjetorin e 26-të të gjenocidit të kryer në Srebrenicë.

Albin Kurti ka uruar që kurrë më mos të ketë Ballkani por as bota shtet me ambicie gjenocidale.

“I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale”, ka shkruar Kurti në facebook.

Kurti thotë se shteti i Kosoës don paqe, bashkëpunim dhe barazi mes kombeve të Ballkanit, por ai thotë se paqja vjen atëherë kur të ndëshkohen kriminelët.

“Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mire. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve”, ka shkruar kryeministri në rrjetin social facebook.

Masakrën e Sebrenicës Kurti e ka quajtuar masakrën më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës së dytë Botërore.

Kryeministri ka theksuar se Kuvendi i Kosovës disa ditë më parë ka miratuar rezolutën me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë.

Bosnje dhe Hercegovina shënon sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga OKB.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Të mërkurën, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën e dënoi gjenocidin në Srebrenicë.