Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sqarimi i zv/kryeministrit Bislimi për çështjen e arkivave të UÇK-së: Kërkoj ndjesë për shqetësimin e krijuar

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka kërkuar ndjesë familjarëve të të zhdukurve për siç ka thënë ai për keqinterpretimet e dëmshme, qëllimkeqe dhe të turpshme, por të sinkronizuara shumë mirë, të eksponentëve të caktuar politik.

Bislimi ka shkruar se Qeveria e Kosovës e ka çështje urgjente përfundimin sa më të shpejtë të procesit të gjetjes së personave të zhdukur me forcë.

Ai ka shkruar se të gjitha dokumentet rreth UÇK dhe aktivitetit të saj janë pjesë e arkivit shtetëror të Kosovës.

“Ato kane qenë dhe vazhdojë të jenë të hapura, janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen si nga vendorët ashtu edhe mekanizmat ndërkombëtarë, përfshi këtu gjykatat vendore e ndërkombëtare por edhe UNMIK apo EULEX”, ka shkruar ai.

KALLXO.com raportoi sot për distancimin e Robert Muharremit, ekspertit të ekipit negociator të Kosovës nga qëndrimet e delegacionit për çështjen e ‘Arkivave të UÇK’-së.

Reagimi i plotë i zv/kryeministrit Besnik Bislimi:

Të nderuar familjarë të personave të zhdukur me forcë, të nderuar pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nderuar qytetarë,

Kërkoj ndjesë për shqetësimin e krijuar gjatë ditës së djeshme dhe sotme nga keqinterpretimet  e dëmshme, qëllimkeqe dhe të turpshme, por të sinkronizuara shumë mirë, të eksponentëve të caktuar politik, të deklaratave të mia nga konferenca për media e organizuar me qëllim të informimit tuaj rreth tematikave të shtjelluara në Bruksel më 7 dhe 8 shtator.

Nga deklarata ime para mediave mund të konkludohet sa vijon (dhe çfarëdo interpretimi i ndryshëm është i padrejtë dhe qëllimkeq):

  1. Ne e kemi me urgjencë përfundimin sa më të shpejtë të procesit të gjetjes së personave të zhdukur me forcë.
  2. Arsyeja kryesore e ngecjeve të deritanishme (janë bërë më shumë se 20 vite nga përfundimi i luftës dhe më shumë se 10 vite nga fillimi i procesit të dialogut), qëndron në mosgatishmërinë e Beogradit për të bashkëpunuar me seriozitet. Kjo është reduktuar në moslejimin e qasjes në arkivat shtetërore të ushtrisë së Serbisë, respektivisht në departamentin që trajton luftën e vitit 1999 në Kosovë.
  3. Hapja e këtyre arkivave është e domosdoshme nëse pala serbe dëshiron të dëshmojë konstruktivitetin e saj në proces. Përveç kësaj, kemi kërkuar që ekipet punuese të takohen sa më shpesh dhe që njëkohësisht trupat e identifikuar nga vend-gërmimi në Kizhevak të sillen sa më parë në Kosovë.
  4. Të gjitha dokumentet rreth UÇK dhe aktivitetit të saj janë pjesë e arkivit shtetëror të Kosovës. Ato kane qenë dhe vazhdojë të jenë të hapura, janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen si nga vendorët ashtu edhe mekanizmat ndërkombëtarë, përfshi këtu gjykatat vendore e ndërkombëtare por edhe UNMIK apo EULEX. Janë pjesë e rëndësishme e dokumentarëve dhe librave të prodhuara gjeri më tani. Në këto arkiva nuk ka asgjë të fshehtë apo të klasifikuar, njësoj siç nuk ka asnjë arsye për të fshehur. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri mbrojtëse dhe jo agresore dhe askush nuk e ka kontestuar apo konteston pastërtinë e luftës së saj. Andaj është më se e logjikshme që edhe udhëheqës si z. Lajcak kanë mundur dhe vazhdojnë të kenë mundësi për qasje të plotë në këtë segment të arkivës shtetërore të Kosovës.

Në këtë kontekst, e vetmja palë që përfiton nga dakordimi i arritur në Bruksel (në rast se respektohet nga Serbia dhe për këtë mund të diskutojmë gjithsesi), është pala kosovare, e cila fiton mundësinë për të konsultuar dokumente të vlefshme mbi vendndodhjen e trupave të personave të zhdukur me forcë dhe ende të pagjetur. Përfundimit të ankthit të familjeve të këtyre personave do të duhej t’i gëzohemi të gjithë, e jo të tmerrohemi nga suksesi eventual i ekipit tonë të dialogut.

Ata të cilët sot dolën me sulme ndaj deklaratave të mia me argumentimin se dakordimi për hapjen e arkivave e ndryshon narrativën e “fajtorëve” për personat e zhdukur dhe madje e vendos shenjën e barazimit mes  UÇK dhe Serbisë, në fakt veç  kanë rënë në atë kurth me qëndrimet e tyre të deritanishme. Ka qenë mu kjo rezistencë falso dhe ne fakt e pa substancë (meqë arkivat shtetërore të Kosovës kanë qenë të përpunuara dhe ripërpunuara shume herë) që i ka shërbyer narrativës së barazisë. Serbia ka patur para vetes në vazhdimësi një argument të servuar nga ne për të fshehur informacionet për të zhdukurit me forcë. Mos harroni që janë të njëjtët “mbrojtës” që na e kanë gatuar “marrëveshjen” për të pagjeturit vitin e kaluar, një dokument me zero fjali thelbësore e zero përkushtim për personat e zhdukur me forcë. Për dijeninë tuaj krejt çka janë “dakorduar” në vetëm 9 fjali (dhe flasin për rëndësinë dhe ndjeshmërinë e temës) ka qenë që kjo tematikë të trajtohet vetëm pasi të ketë ardhur njohja  nga Serbia. Kaq për seriozitetin, përkushtimin, profesionalizmin dhe largpamësinë e tyre.

Pjesa më e madhe e atyre që kanë orkestruar sulmet, kanë përhapur gënjeshtrat dhe shpërndarë mjegullën dhe frikën, janë të njëjtit që nga pas lufta kanë fituar poste e tenderë duke u thirrë mu në emër të së njëjtës UÇK. Andaj edhe duhet kuptuar gatishmërinë e tyre për ta sabotuar pamëshirshëm edhe një proces kaq të ndjeshëm, nga tmerri se mos përfundimisht pala kosovare po nxjerr një marrëveshje të dobishme nga bisedimet.