Xhafer Tahiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sqarimi i Xhafer Tahirit: Studentja e kishte kopjuar testin dhe deshi të largohej bashkë me të

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se një studente e ka kopjuar testin dhe ka dashur të ikë bashkë më të nga salla ku mbahej testimi.

Tahir që është profesor në Fakultetin Juridik, duke kërkuar falje për një video e cila po qarkullon në rrjete sociale, ka thënë se nuk bëhet fjalë për dhunë.

“Fatkeqësisht, studentja që kishte kopjuar testin refuzoi të identifikohet dhe u përpoq të largohej bashkë me testin e vjedhur pandershëm. Nuk bëhet fjalë për dhunë”, tha Tahiri në Facebook.

“Unë sinqerisht kërkojë ndjesë për të gjithë ju që patet rastit t’i ndiqni këto pamje që nuk ishin tjetër pos përpjekje për të mbrojtur pronësinë intelektuale dhe identifikimin e studentes, e cila këtë situatë e shfrytëzoi për të mbrojtur veprimin e saj duke e shtrembëruar të vërtetën, pavarësisht se në sallë kishte plot dëshmitar”, ka sqaruar kryetari i Vushtrrisë.

Ai i ka publikuar edhe disa foto nga komunikimi i disa personave në një grup në viber. Në këtë biseda përveç pyetjeve dhe përgjigjet e sakta për provim, një person thotë se është zënë duke kopjuar.

Ky është postimi i plotë i tij:

Të nderuar miq,

Sot u bëmë dëshmitarë të pamjeve që nuk i bëjnë nderë askujt dhe më së paku brezit të ri për arsimimin e të cilëve mbetem i përkushtuar jo veç unë, por i gjjthë stafi akademik në Universitetin e Prishtinës.

Pamjet e sotshme të cilat u shfaqen në disa media pasqyronin një të vërtetë të hidhur. Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë fatkeqësisht po keqpërdoret në masë të madhe nga ata që qëllim nuk e kanë dijen, por kopjimin. Kësaj radhe ky fenomen i shëmtuar u pasqyrua edhe në media derisa unë bashkë me dy kolege, profesoresha të respektuara në Juridik, mundohesha ta mbroj pronën intelektuale që ka një profesor: testin që verifikon dijen e një studenti.

Fatkeqësisht, studentja që kishte kopjuar testin refuzoi të identifikohet dhe u përpoq të largohej bashkë me testin e vjedhur pandershëm. Nuk bëhet fjalë për dhunë.

Unë sinqerisht kërkojë ndjesë për të gjithë ju që patet rastit t’i ndiqni këto pamje që nuk ishin tjetër pos përpjekje për të mbrojtur pronësinë intelektuale dhe identifikimin e studentes, e cila këtë situatë e shfrytëzoi për të mbrojtur veprimin e saj duke e shtrembëruar të vërtetën, pavarësisht se në sallë kishte plot dëshmitar.

Me shpresën se do të reflektojmë të gjithë veçanërisht kur bëhet fjalë për sferën më të rëndësishme – arsimin, ju kërkojë mirëkuptim të gjithëve për një situatë me të cilën, fatkeqësisht, mund të ballafaqohet secili profesor në Universitin e Prishtinës.

  1. S Ka kohë që kam pezulluar punën në Universitet për shkak të angazhimeve në Komunë, e sot edhe pse vikend isha për të ndihmuar koleget e nderuara.