Sqarimi i Qeverisë: Pas hapjes së kufijve nuk janë hequr masat dhe protokollet e deritanishme

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e mabtjru sot ka miratuar edhe vendimin për hapjen e kufijve shtetërorë të Republikës së Kosovës me Republikën e Shqipërisë, Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me Republikën e Serbisë.

Pas këtij njoftimi, Zyra e Krryeministrit ka dërguar sqarim se pas hapjes së kufijve, nuk janë larguar masatt dhe protokollet e deritanishme.

“Për të shmangur paqartësitë eventuale, sqarojmë se ky vendim ka të bëjë vetëm me hapjen e disa pikave të caktuara kufitare me këto vende, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve, mirëpo kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se janë hequr masat dhe protokollet e deritanishme kundër pandemisë COVID 19”, thuhet në sqarim.

Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se vazhdojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat që Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar më parë sa u përket hyrje-daljeve në territorin e vendit tonë.

Qeveria e Kosovës sot ka mbajtur mbledhje korresponduese, e 24-ta me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Kujtojmë se qytetarët e Kosovës kanë pasur të drejtë qarkullimi në të tri shtetet e lartpërmendura, veçse Maqedonia e Veriut kërkon dëshmi të testit negativ për COVID-19 në hyrje për kosovarët.

Pak pasi ishte marrë ai vendim, Kosova mori vendim për reciprocitet me Maqedoninë e Veriut, vendim ky që u shfuqizua në mbledhjen e sotme.

Qeveria e Kosovës më 13 korrik kishte marr vendim që të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës që të hyjnë në Kosovë, duhet të dëshmojnë se nuk kanë COVID-19 dhe se duhet të posedojnë testin RT-PCR negativ në Sars COV-2.