Sqarimi i Qëndron Kastratit për prerjen e pishave në Karaçevë

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka reaguar pas disa fotografive të publikuara në fshatin Karaçevë të Epërme të kësaj komune, ku shihet se është duke u bërë një prerje masive e pishave.

Përmes një sqarimi në facebook i pari i Kamenicës, ka theksuar se prona në fjalë është pronë private dhe prerja e pishave ka qenë e nevojshme për të shmangur dëmtimin e drunjve tjerë.

“Pas kaplimit të zjarrit në këtë hapësirë në vitin 2019, pronari ka kërkuar leje nga Agjencioni Pyjor i Kosovës, për prerjen fitosanitare të këtyre pishave, në mënyrë që të shmanget dëmtimi i trupave të tjerë. Pas vlerësimit në terren APK-ja ka rekomanduar se këta drunj duhet të prehen, dhe më pas të krijohet një koridor kundër përhapjes së zjarrit”, ka shkruar Kastrati në facebook.

Sipas Kastratit ka qenë e përcaktuar zona se deri ku lejohet prerja e pishave të dëmtuara.

“Shënjimin e pikave se ku duhet të hapet ky koridor, janë vendosur nga inxhinierët pyjor të dërguar për vlerësim nga APK – Drejtoria Koordinuese Rajonale në Gjilan. Sipas tyre, është obligim ligjor që secila hapësirë pyjore të ketë një koridor ndarës për parandalim të shpërndarjes, në rast kaplimi nga zjarri”, tha ai.

“Ne si komunë, kemi ndalur punën e prerjes, deri sa Drejtoria e Pylltarisë dhe Inspektorët nga Agjencioni Pyjor i Kosovës, kanë dalur në vend të ngjarjes për të parë nëse pronari ka respektuar hapësirën e përcaktuar nga APK për prerjen e tyre”, ka shtuar ai.

Tutje Kastrati ka thënë se do të kërkojnë hetim më të detajuar nga Policia, për të parë nëse zjarri i shkaktuar në vitin 2019 ka qenë i qëllimshëm ose jo.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.