Sqarimi i ministres Rizvanolli për ndarjen e 40 milionë eurove për KOSTT-in

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ndarja e 40 milionë eurove për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), është bërë për të mbuluar obligimet që dalin nga marrëveshja me ENTSO-E.

Sipas Rizvanollit, çfarëdo rrjedhe e energjisë në cilën do pjesë të territorit të Kosovës, e obligon KOSTT-in për pagesa.

“Ne mbetemi të obliguar, zotimet që i kemi marrë ndaj ENTSO-E, me rastin e pavarësimit të Kosovës si zonë e pavarur dhe operimit në bllok me Shqipërinë parashohin që Kosova është shtet i cili ka përgjegjësi për rrjedhat e energjisë brenda territorit të saj duke e përfshirë të gjithë territorin e saj, si e tillë marrëveshja parasheh që ne jemi përgjegjës, çfarëdo rrjedhe e energjisë krijon obligime për ne dhe Kostt si nënshkruese dhe ne si shtet dhe ne duhet ti përmbushim këto obligime”, tha ajo në konferencë për media.

Tutje Rizvanolli tha që shuma prej 40 milionë euro i ndarë sot, do të përmbush obligimet e KOSTT-it deri në nëntor të vitit 2022, kur edhe kalon afati për udhërrëfyesin për energjinë, i cili parasheh që pagesa e rrymës në veri të behet nga vet qytetarët atje.

“Vlera e ndarë parasheh që të përmbushën detyrimet deri në momentin kur i kalon afati udhërrëfyesit dhe jo më tej”, ka thënë ajo në konferencë për media.

Ndërsa sa i përket udhërrëfyesit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se pala kosovare i ka kryer detyrat e saj, duke drejtuar gishtin tek kompania serbe “Elektroser”.

“Kosova të gjitha institucionet kanë bërë të gjitha përpjekjet për realizimin e marrëveshjes, ndërsa ngecjet janë kryekëput për shkak anës tjetër, të kompanisë Elektrosever”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës sot mori vendim për ndarjen e 40 milionë eurove për KOSTT. Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës është paguar nga Qeveria e Kosovës dhe nga KOSTT-i.

Nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) kanë bërë të ditur se humbjet nga mospagesa e rrymës në veri kanë arritur shumën prej 40 milionë eurosh vetëm në vitin 2021.

Udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, i cili do të duhej të shërbente si kalendar për zbatimin e obligimeve të Kosovës dhe Serbisë karshi marrëveshjes për energjinë të nënshkruar që nga viti 2013, nuk po zbatohet sipas afateve të cilat i kanë nënshkruar vetë palët.

Pika e vetme e zbatuar plotësisht është pika e parë e këtij udhërrëfyesi të nënshkruar në Bruksel më 21 qershor, që Zyra e Rregullatorit të Energjisë t’ia lëshojë licencën e furnizimit “Elektroseverit”.

Ndonëse marrëveshja ekziston që nga viti 2013, e ende nuk ka zbatim për të, qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

BE ka thënë se vonesat në zbatimin e udhërrëfyesit po ndodhin për shkak të aspekteve teknike, mirëpo nuk ka treguar se çka janë këto aspekte teknike.

BE: Udhërrëfyesi për marrëveshjen Kosovë-Serbi për energjinë po ngec për “aspekte teknike”