Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sqarimi i Kurtit për premtimin e tij për ulje të çmimit të energjisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në lidhje me deklaratat e tij për çmimin e energjisë elektrike në fushatën e zgjedhjeve të tetorit të vitit 2019.

Ai ka thënë se në fushata zgjedhore nuk jep as zotime e as premtime për një vit por për katër vite (qeverisje).

“Në fushatën e zgjedhjeve të tetorit 2019, është e vërtetë që unë kam thënë e synojmë uljen e çmimit edhe me siguri që ne e synojmë uljen e çmimit por duhet ta kemi një gjë parasysh në një fushatë zgjedhore unë nuk jap as zotime dhe as premtime për vitin e parë por për katër vite”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se ende nuk është bërë një vit prej kur e kanë marrë mandatin e qeverisjes dhe sipas tij opozita po kërkon që t’i realizojnë premtimet katërvjeçare.

“Është shumë interesant se një numër i madh i kritikave që i bëhet Qeverisë tonë i bëhet sikur të ishim në vitin 2024, është vetëm viti 2022. Ka mundësi që këta dhjetë muaj u janë dukur shumë të gjatë në opozitë ama viti është vetëm 2022, nuk është 2024. Pra, nuk jemi në përmbyllje të mandatit, jemi në fillim. Ende nuk është bërë asnjë vit i mandatit tonë dhe ju kërkoni prej nesh që ne t’i realizojmë   premtimet tona katërvjeçare dhe atë jo të kësaj fushate të fundit por të asaj para kësaj. Shikoni me çfarë standardi na matni ne”, ka thënë kryeministri.

“Kundërshtarët tani i kanë pritjet më të mëdha se votuesit tanë. Votuesit tanë po kërkojnë që ne t’i realizojmë premtimet për katër vjet e ju po kërkoni për dhjetë muaj. Pritjet e opozitës për këtë Qeveri janë më të mëdhaja se të popullit të Kosovës, pra ky është sa i përket sqarimit të deklaratës sime të shtatorit të 2019 kur kemi thënë që synojmë uljen e çmimit”, ka shtuar Kurti.