SPSPK e zhgënjyer me Qeverinë, kërkojnë rritje të pagës minimale

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një konferencë për media tha se janë të mllefosur me punën e institucioneve shtetërore të Kosovës.

Ai tha së përkundër rritjes ekonomike nuk po ndodhë edhe rritja e pagës minimale për punëtorët e sektorit privat.

“Qeveria po thotë se kemi rritje ekonomike prej 7%, por neve nuk na intereson, neve na intereson se përse nuk kemi rritje të pagës prej 170 euro dhe deri kur ne duhet të punojmë për serbët dhe për sektorin publik”, tha ai.

Kryetari i SPSPK tha se mbi 60% e punëtorëve që punojnë në Kosovë janë pa kontrata të punës.

Azemi shtoi se arsye e kësaj mllefosje të punëtorëve të sektorit privat, është edhe pagesa e rrymës për popullatën serbe në veri.

“Punëtorët e sektorit privat janë të mllefosur pasi që qeveria e Kosovës bëri pagesën e rrymës për popullatën e serbëve në veri, andaj ka krijuar një mllefosje të madhe që ne nuk ua kemi pasur borxh qeveritarëve. Ne punojmë për një pagë prej 170 eurove dhe nga ato mjete tonat të ndahen miliona euro për pjesën veriore të Mitrovicës, nuk e di çfarë mund të themi më shumë”, shtoi ai.

Ai tha se me heqjen e taksës ndaj Serbisë për importimin e bllokave u përkeqësua gjendja e punëtorëve të sektorit privat.

“Qeveria e Kosovës e përkeqësoj gjendjen e prodhuesve të bllokave me heqjen e taksës për importimin e tyre. Për këtë arsye është rritur kostoja tek ne dhe pronarët e kompanive kanë filluar ta reduktojnë numrin e punëtorëve”, tha Azemi në konferencën e mbajtur sot, në ambientet e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.

Azemi ia ka përkujtuar kryeministrit Albin Kurti disa premtime për të cilat thotë se nuk i ka realizuar.

Ai tha se Kurti ka premtuar pagë minimale prej 350 eurove dhe as që po bisedohet për të, ka premtuar nënshkrimin e marrëveshjes kolektive, rritjen e numrit të inspektorëve të punës, pagesën për humbjen e vendit të punës për shkak të pandemisë, dialogun me sektorin privat dhe sipas tij asnjëra nga këto nuk është realizuar deri më tani.

“Jemi të zhgënjyer me bashkëpunimin dhe lëvizjet e Qeverisë në raport me sektorin privat janë zero”, shtoi ai.