Sportistët e Kosovës u ndihmuan viktimave që kishin mbetur nën rrënoja pas tërmetit

Më shumë se 3,000 persona kanë humbur jetën e dhjetëra mijëra të tjerë janë lënduar nga dy tërmete të forta që kanë goditur sot në mëngjes jugun dhe juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë.

Në kohën kur ndodhën tërmetet ekipi i mundjes i Kosovës gjendej në Turqi.

Trajneri i ekipit të mundjes, Ziber Xhoni, ka rrëfyer në emisionin “Kallxo Përnime” përmes një lidhjeje me Viber gjithçka ndodhi sot.

Ai tha se hoteli ku ai dhe sportistët kishin qëndruar nuk ishte dëmtuar.

Madje, ekipi i përbërë nga 6 veta u ka ndihmuar edhe viktimave të cilët kishin mbetur nën rrënoja.

“Hoteli ynë ka qenë 8 kate, i cili është i vetmi objekt në atë rrethinë që ka shpëtuar. Ne kemi nxjerrë persona të cilët kishin mbetur nën rrënoja, kuptohet pa ndonjë masë mbrojtëse” – ka thënë Xhoni.

Ai më tej ka shtuar se kanë qëndruar në vendin ku ndodhi tërmeti për rreth 6 orë duke iu ndihmuar të prekurve nga kjo fatkeqësi natyrore.

Ekipi i mundjes së Kosovës do të kthehen sonte në Kosovë.

Ndryshe një tërmet i fuqishëm prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë, duke lënë të vdekur mijëra persona në të dy vendet.