Sport në burgje, lansohet programi për aktivitete në Qendrën Korrektuese në Lipjan – VIDEO

Në kuadër të fushatës globale “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në Qendrën Korrektuese në Lipjan, lansuan programin “Sporti në burgje”.

Të dy ministritë përmes kësaj nisme synojnë ndërtimin e një programi shtetëror që ndërlidh sportin me burgjet dhe qendrat korrektuese në Kosovë.

Në këtë ngjarje morën pjesë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovë, Ismail Dibrani, boksierja Donjeta Sadiku,  dhe Linda Cena, Kordinatore në Federatën e Xhudos së Kosovës.

Një moment i veçantë i këtij aktiviteti ishte demonstrimi i sportit të xhudos, i realizuar me mbështetjen e Federatës së Xhudos së Kosovës.

Pamje nga aktiviteti mund të shihni në këtë LINK. 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, po ashtu në kuadër të fushatës, ishte në një takim me gratë të cilat kanë dhënë një kontribut për më shumë se dy dekada në fushën e artit dhe kulturës.

Gjatë këtij takimi ato theksuan përkushtimin dhe pasionin e tyre për artin dhe kulturën po ashtu vështirësitë e ndryshme në rrugën e tyre profesionale dhe vendosmërinë për të mos hequr dorë nga profesioni.

Po ashtu gjatë ditës Haxhiu ishte në një vizitë në Klubin e Futbollit të Vajzave “Prishtina”, gjatë kësaj vizitë Haxhiu theksoi se ishte hera e parë për të që ishte në klubin e tyre.

“Përmes këtij takimi ne kemi dashur me ju tregu edhe djemve të mi edhe djemve të tjerë që vajzat munden me qenë futbolliste madje munden me qenë shumë të suksesshme dhe shumë të mira, sporti, futbolli nuk është vetëm për djemtë, por është edhe për vajza”- tha Haxhiu.

“Kur e ke vullnetin, kur e ke pasionin për sportin kemi me mujt me ja dalë gjithsecili” – shtoi tutje Haxhiu.

Fushata vetëdijësuese “16 ditët e aktivizimit kundër dhunës me baza gjinore” ka filluar më 25.11.2024 dhe nga kjo datë është duke u shënuar me aktivitete të ndryshme të udhëhequra nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Dhuna në familje në baza gjinore vazhdon të mbetet një nga problemet kyçe që ka shoqëria në Kosovë.

Sipas të dhënave të Policisë, në Kosovë mbi 2,000 raste të dhunës në familje raportohen çdo vit.

Viktimat kryesisht janë të gjinisë femërore.

Vetëm gjatë vitit 2023, 286 gra dhe 335 fëmijë u strehuan në shtëpi të sigurta në gjithë vendin, teksa për vitin aktual të dhënat nuk janë ende të ditura.

Me qëllim të vetëdijesimit dhe sensibilizimit për parandalimin e dhunës në baza gjinore në Kosovë ka filluar më 25.11.2024, fushata globale “16 ditë të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”.