Spitali i Vushtrrisë

Spitali i Vushtrrisë i kthehet normalitetit, pacientët me COVID-19 barten në Klinikën Infektive në Prishtinë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se Spitali i Vushtrrisë i dedikuar vetëm për COVID-19 nuk do të trajtojë me pacientë të infektuar me këtë virus.

Sipas Zemajt, kjo është bërë për shkak të uljes së numrit të të infektuarve në nivel vendi.

Zemaj ka njoftuar se pacientët eventual të cilët po trajtohen në Spitalin e Vushtrrisë do të transportohen brenda 3 ditëve, gradualisht në Klinikën Infektive në QKUK.

“Nga 664 testime sa janë bërë brenda 24 orëve, raste pozitive janë 43. Kjo dëshmon më së miri se me angazhimin e të gjithëve në përgjithësi por të Ministrisë së Shëndetësisë  në veçanti është duke u bërë e pamundura që virusi të menaxhohet dhe asessi të merr këmbë. Ndërsa komiteti tashmë pas vlerësimeve të veta profesionale  konstaton se bazuar në situatën aktuale, Spitali i Vushtrrisë duhet t’i kthehet punës normale, pacientët e shtrirë si të konfirmuar dhe të dyshuar me Covid, transportohen brenda 3 dite, gradualisht në Klinikën Infektive në QKUK”, tha ai.

Zemaj po ashtu ka njoftuar se transporti i pacientëve nga Spirali i Vushtrrisë  fillon nga dita e sotme. Ndërsa po ashtu janë bërë edhe përgatitjet e nevojshme për rifillim të punës në ambulancat specialistike në ShSKUK.