Spitali i Përgjithshëm i Vushtrrisë "Sheikh Zayed"

Spitali i Vushtrrisë: Gjendja e nxënësve të aksidentuar është stabile

Shtatë nxënësit të cilët mbetën të lënduar nga aksidenti në Vushtrri janë në gjendje stabile shëndetësore – sipas Spitalit Rajonal të Vushtrrisë.

Nga aksidenti që ndodhi paraditen e së enjtes vdiq shoferi i automjetit, që po transportonte nxënësit.

Vjollca Bilalli, Shefe e Shërbimit Emergjent në Spitalin Rajonal të Vushtrrisë, tha se gjendja e nxënësve është stabile dhe se tashmë të gjithë janë liruar për në shtëpi.

Bilalli tha se nxënësit kryesisht kanë pasur lëndime në duar, këmbë e kokë.

“Gjendja e fëmijëve është stabile. Të gjithë janë liruar nga Emergjenca. Këtu në Vushtrri disa nga ta kanë vazhdu edhe për disa trajtime jashtë Spitalit tonë. Lëndime kanë pasur kryesisht në dorë, këmbë, kokë, por të gjithë janë në gjendje të mirë dhe stabile.” – tha ajo.

Rastin e aksidentit e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Zahiti tha se automjeti i aksidentuar kishte përfunduar jashtë rrugës, ndërsa nga hetimet e para dyshohet të kenë qenë shkak: pakujdesia dhe mospërshtatja e shpejtësisë.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se H.S., 59-vjeçar, ishte shofer i linjës së transportit të nxënësve në fshatin Duboc.

Vdes shoferi pas aksidentit të automjetit me nxënës në Vushtrri, shtatë të lënduar