Spitali i Shtërpcës zhvlerësohet për 20%, s’u funksionalizua që nga viti 2012

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Spitali i Shtërpcës është zhvlerësuar për 20 për qind nga vlera totale, e cila ka qenë 1,647,257 euro.

Sipas ZKA-së, ky Spital nuk është funksionalizuar kurrë edhe pse ishte pranuar teknikisht qysh në vitin 2012.

Po ashtu, Auditori në këtë komunë ka gjetur se mbahen në depo pajisje mjekësore në vlerë mbi 1 milion euro.

“Komuna ka ndërtuar një Spital vlera e të cilit është 1,647,257€, pranimi teknik i të cilit është bërë me dt.31.10.2012 dhe i cili ende nuk është futur në përdorim edhe pse nga data e pranimit teknik ka filluar të zhvlerësohet. Zhvlerësimi i akumuluar i kësaj ndërtese deri në fund të vitit 2020 ka arritur në 336,295€ (20% e vlerës së objektit).”, thuhet në raportin e ZKA-së për këtë Komunë.

Kujtojmë se sipas nenit 2.1 të Rregullores 02/2013, të gjitha organizatat buxhetore janë të obliguara që të marrin masat e nevojshme për dokumentimin, ruajtjen, evidentimin, tjetërsimin dhe raportimin e pasurisë jofinanciare me qëllim të menaxhimit më efektiv, efikas dhe ekonomik, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë jofinanciare nga dëmtimi dhe keqpërdorimi.

Auditori i ka rekomanduar kryetarit të Shtërpcës së duhet të sigurojë që kërkesat për blerjen e pajisjeve dhe planifikimi i nevojave për prokurim të jenë analizuar mirë dhe në përputhje me krijimin e parakushteve për funksionalizimin e tyre, duke pasur parasysh gjithnjë vlerën për paranë.

Më tutje, Auditori ka rekomanduar se duhet të merren masa urgjente që të krijohen parakushtet që pajisjet që gjenden në depo dhe ndërtesat e banimit social të futen sa më shpejt në përdorim.