
Spitali i Prizrenit për nxënësen e cila u sulmua nga qeni: Gjendja e saj është më e mirë
Nxënësja e Shkollës “17 Shkurti” në Shirokë të Suharekës, e cila u trajtua në Repartin e Infektivës të Spitalit Rajonal të Prizrenit për shkak të sulmit nga qeni, më 22.01.2025, është në gjendje më të mirë – kanë konfirmuar nga Spitali.
Shefi i Infektivës në Spitalin e Prizrenit, Beram Karanezi ka thënë për KALLXO.com se të enjten, më 23.01.2025, do t’ia bëjnë përpunimin e plagëve dhe do t’ia heqin fashot.
Nxënësja është 8-vjeçare dhe është njëra nga tre nxënësit të cilët u sulmuan nga qeni i cili hyri brenda objektit të Shkollës në Shirokë. Ajo është sulmuar nga qeni në kokë.
Tre nxënësit e tjerë janë liruar nga trajtimi mjekësor që kanë marrë – dy prej tyre në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë dhe njëri në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
“Pra, gjendja klinike është mirë, shumë ma mirë, përveç tash shohim procedurat e plagës.” – ka thënë Karanezi, më 23.01.2025.
Karanezi ka shtuar se nxënësja ka frikë dhe është e traumatizuar, për shkak të rastit që ka ndodhur.
Nxënësja është pranuar fillimisht në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit, bashkë me një nxënës tjetër të Shkollës.
“Janë përpunu plagët te na. Prej tyre, një është liru, një është pranu në Repartin e Infektives për trajtim të matutjeshëm.” – ka thënë shefi i Emergjencës, Hekuran Veçgishti, më 22.01.2025.
Në anën tjetër, Policia në Suharekë e ka neutralizuar qenin i cili hyri në objektin e Shkollës.
Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës në Raportin e saj 24-orësh. Sipas njoftimit, Policia e asgjësoi qenin – duke përdorur armën zyrtare në drejtim të tij.
Sipas Policisë, dyshohet se pranari i qenit, i cili u arrestua menjëherë pas rastit, e ka lënë pa përkujdesje qenin.
“Zyrtarët policorë janë ballafaquar me rrezikun nga qeni, i cili u është vërsulur edhe zyrtarëve policorë. Me qëllim të eliminimit të rrezikut një zyrtar policor ka përdorur pajisjen zyrtare (armën zyrtare) në drejtim të qenit – duke e asgjësuar qenin.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 23.01.2025.
Rasti ka ndodhur rreth orës 09:40 dhe dyshohet se qeni ka qenë i tërbuar. Drejtoresha e Shkollës “17 Shkurti”, Hidajete Bytyqi i ka thënë KALLXO.com se nxënësit që u sulmuan nga qeni janë të klasës së parë, të dytë, të pestë dhe të gjashtë.
Gjatë kohës së pushimit të gjatë, nxënësit kanë dalë jashtë hapësirës së Shkollës “17 Shkurti”, për të blerë ushqim dhe më pas qeni i ka ndjekur pas kthimit të tyre në shkollë – sipas Bytyqit.
“Knej rrugës duke ardhë (pasi kanë ble ushqim) i ka ndjekë ai qeni, deri në oborr të Shkollës. Fëmija tuj vrapu, edhe ai ka hy me atë fëmijë. E ka sulmu atë vajzën të parën. Kanë qenë kujdestarët, po ata derën e kanë mbyllë menjëherë. E kemi neutralizu, mos me lanë prapë me dalë jashtë – derisa erdhën Policia.” – ka treguar Bytyqi, më 22.01.2025.
Rasti është iniciuar, si: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. KALLXO.com e ka pyetur Prokurorinë Themelore në Prizren, në lidhje me të arrestuarin dhe është në pritje të përgjigjeve.