Spitali i Prizrenit me 20 pacientë me COVID-19 dhe vetëm tre respiratorë

Spitali Regjional i Prizrenit ka vetëm tre respiratorë derisa po trajton 20 pacientë pozitiv me COVID-19 dhe shumë të tjerë me shenja klinike për coronavirus pozitiv në pritje të rezultateve.

Drejtori i Spitalit Regjional të Prizrenit, Afrim Avdaj ka dhënë informacione rreth menaxhimit të situatës me COVID-19 dhe trajtimit të pacientëve pozitiv në këtë spital.

Sipas Avdajt, dy mjekë dhe dy infermierë në këtë spital janë të prekur me COVID-19. Sipas tij, njëri nga mjekët është në vetizolim ndërsa njëri mjek dhe dy infermierët janë duke marrë trajtim në Repartin Infektiv të Spitalit të Prizrenit.

“Aktualisht i kemi 20 pacientë të konfirmuar me COVID-19 me shenja klinike dhe me shenja për hospitalizim. Shumica nga ta janë duke u trajtuar me oksigjenoterpai e disa edhe në gjendje të rënduar. Aktualisht 47 pacientë të pranuar në spitalin tonë, disa edhe në repartin e Pulmologjisë të cilët janë duke e pritur rezultatin për shkak të vonesës së testimit e disa po presin për testim, por të gjithë kanë shenja klinike për COVID-19 pozitiv e disa janë në gjendje më të rëndë”, ka thënë Avdaj për KALLXO.com

Avdaj ka treguar se nga sot ata kanë liruar edhe Repartin e Neurologjisë dhe atij të Dermatologjisë me qëllim që të jenë të gatshëm në rast të shtimit të rasteve me coronavirus.

“Një pacient me respirator është trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë dhe pas ndërhyrjes kirurgjike ka rezultuar pozitiv dhe dy të tjerë që janë në ventilim mekanik për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Ne kemi numër të reduktuar të respiratorëve dhe do të punojmë me kapacitetet ekzistuese që i kemi, i kemi vetëm tre respiratorë për shkak se dy i kemi dërguar në Klinikën e Mjekësisë Sportive në Prishtinë”, ka vazhduar më tej ai.

Avdaj ka thënë se kanë një bashkëveprim edhe me Qendrën Operative Rajonale në mënyrë që të përballojmë në mënyrë sa më të lehtë pandeminë.

Avdaj ka apeluar te qytetarët që të jenë të përgjegjshëm në respektimin e vendimeve të Qeverisë së Kosovës duke ruajtur distancën, bartjen e maskës dhe higjienën personale që të kontribuojnë në ruajtjen e shëndetit publik.