Foto: Facebook

Spitali i Pejës shpenzon mbi 1 mijë euro për të blerë një iPad

Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka shpenzuar saktësisht 1 mijë e 273 euro për të blerë një tablet të kompanisë Apple.

Sipas kontratës, tableti që ka blerë Spitali i Pejës  është prodhim i vitit 2021 dhe ka ekran me prekje 11″ Liquid Retina me një rezolucion prej 2388 × 1668 pika dhe kënde të gjera të shikimit dhe posedon një procesor 8-bërthamor GPU Apple M1.

Përveç kësaj, pajisja posedon 8GB RAM dhe për sistemin, të dhënat dhe aplikacionet janë gati edhe 512GB memorie të brendshme. Ekziston edhe një hyrje në teknologji duke përdorur Face ID për njohjen e fytyrës dhe natyrisht kamerat – e pasme 12MP f / 1.8 + utrawide 10MP dhe e përparmë 12MP TrueDepth.

Spitali i Pejës përveç specifikave tjera ka zgjedhur edhe ngjyrën e tabletit. Sipas kërkesës, ngjyra do të jetë e hirtë.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Spitali i Pejës se për kë është blerë ky tablet dhe të njëjtit kanë deklaruar se pajisja do të shfrytëzohet nga Reparti i Radiologjisë.

Sipas Spitalit të Pejës, kjo blerje është kryer për të lehtësuar punën e këtij reparti për t’i analizuar imazhet e pacientëve.

Sipas përgjigjes, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka tashmë në funksion sistemin digjital të Rëntgenit dhe ky tablet do të përdoret për ruajtjen e fotografimeve të pacientëve në ‘iCloud’.

“Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka tashmë në funksion sistemin digjital të Rëntgenit, ku incizimi i pacientit shkon automatikisht edhe në sistem ku mund ta sheh Mjeku i Spitalit të Pejës në telefon, tabletë apo në kompjuterë, ndërsa pacientit në vend të filmave i jepet CD.  Tableti është blerë për shfrytëzim për këtë sistem të Rëntgenit. Ky sistem ka data bazë ne (cloud) dhe ne te ruhen fotografimet e pacienteve sipas cilësisë origjinale. Gjithashtu tableti shërben edhe për leximin e fotografive te Rëntgenit”, thuhet në përgjigjen e Spitalit të Pejës.

Sipas Spitalit, me këtë sistem janë kursyer nga 60 mijë euro në vit e që sipas llogaritjeve i bie që Spitali ka kursyer 180 mijë euro për tri vite.