Lopët në oborrin e Spitalit të Pejës, Foto: Facebook

Spitali i Pejës: Lopët po futen në oborrin e spitalit

Spitali i Përgjithshëm në Pejë, ka shfaqur shqetësim lidhur me futjen e bagëtive në oborrin e spitalit dhe me numrin e madh të qenve endacakë, duke apeluar te institucionet e nivelit komunal dhe qeveritar që të marrin masa për këtë situatë.

Në një reagim në Facebook, spitali thotë se futja e bagëtive në oborrin e këtij spitali ka vite që ndodh dhe bëhet nga persona që bëjnë futjen lopëve në oborrin e spitalit e bëjnë duke dëmtuar rrethojat e oborrit apo formave të tjera.

“Spitali i Përgjithshëm në Pejë shfaq shqetësimin lidhur me fenomenin e pandërprerë që po ndodhë që sa vite lidhur me futjen e bagëtive në oborrin e Spitalit nga personat e pandërgjegjshëm, si dhe me numrin e madh të qenve endacak që rrezikojnë vizitorët dhe personelin tonë” – është thënë në reagim ku janë përmendur edhe dëmet që shkakton futja e bagëtive në oborr të spitalit.

“Futja e bagëtive më konkretisht numrit të madh të lopëve në oborrin e Spitalit rrezikon në skajshmëri pacientët nga infeksionet, shkakton dëme në bimët që janë kultivuar dhe ruajtur për vite, dhe dëmton jashtëzakonisht imazhin e Institucionit tonë”.

Sipas, këtij Spitali, për vite me rradhë përmes shkresave, fotografive e videove është kërkuar nga organet përgjegjëse si Inspektoriati i Komunës së Pejës, Policia e Kosovës, Inspektoriati Sanitar që të ndërmerren masa ndaj pronarëve të këtyre bagëtive por ky fenomen asnjëherë nuk ka arritur që të parandalohet.

“Përmes kësaj komunikate apelojmë tek të gjitha Institucionet e nivelit Komunal dhe atij Qeveritar dhe tek Individët e tjerë që të na ndihmojnë duke marrë masa konkrete ndaj pronarëve të bagëtive dhe duke zgjedhur problemin e qenve endacak sepse kjo është pengesë e jashtëzakonshme për punën e Institucionit tonë shëndetësorë” – është thënë tutje në reagim.