Salla e operimeve në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Pejës. Foto: Spitali i Përgjithshëm Pejë, Facebook

Spitali i Pejës bëhet me sallë të operimeve në gjinekologji, e quan përparim të madh

Stafi i Spitalit të Pejës është bërë me sallë të operacioneve në Repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.

Në njoftimin e dhënë, Spitali e ka konsideruar këtë sallë si përparim të madh.

Tani e tutje operimet gjinekologjike dhe lindjet cezariane do të bëhen në këtë sallë pa pasur nevojë të shkojnë në bllokun operativ si deri më tani, sipas njoftimit të Spitalit.

“Ky hap i rëndësishëm është një përparim i madh për kujdesin shëndetësor që ofrojmë, duke siguruar kështu kushte optimale për trajtimin dhe kujdesin e grave në nevojë. Salla e re është e pajisur dhe është e dizajnuar për të përmbushur gjitha standardet më të larta të sigurisë dhe efikasitetit” – shkruan Spitali i Pejës.

Ky institucion shëndetësor thotë se është i përkushtuar të avancojë ofrimin e kujdesit shëndetësor të nivelit të lartë për të gjitha pacientet.