Spitali i Pejës - Foto: KALLXO.com

Spitali i Pejës: 15 pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë

Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka njoftuar se aktualisht në këtë spital po trajtohen 117 pacientë me Covid-19.

Sa i përket gjendjes së pacientëve, 97 pacientë janë në oksigjeno-terapi ndërsa nga këta 15 pacientë janë në gjendje më të rëndë. Tre pacientë janë shëruar nga Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas raportit 24 orësh të spitalit, dje 311 pacientë kanë kryer analiza, që në total kanë bërë 4944 analiza.

“4 operacione janë kryer gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. Numri i lindjeve gjatë 24 orëve të fundit ka qenë 5 dhe kanë lindur 5 foshnje, 2 të gjinisë mashkullore dhe 3 të gjinisë femërore. Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 225 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësorë, dhe nga këta, 24 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, 146 shërbime Radiologjike janë kryer gjatë ditës së djeshme dhe atë: 102 Rëntgen, 30 EHO dhe 14 CT-ja.

Deri më tani, sipas të dhënave zyrtare në Kosovë me COVID-19, janë infektuar 29 mijë e 805 persona, janë shëruar 17 mijë e 541 dhe kanë vdekur 833 pacientë.