Foto: KALLXO.com

Spitali i Pejës, 11 pacientë me COVID-19 në gjendje të rëndë

Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka bërë të ditur se 7 pacientë janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit nga COVID-19 në këtë spital.

Sipas njoftimit, aktualisht po trajtohen 63 pacientë me coronavirus.

Ndërkaq, sa i përket gjendjes së pacientëve, spitali njofton se 39 pacientë janë në oksigjeno-terapi, 11 pacientë janë në gjendje më të rëndë, ndërsa pacientët e tjerë janë në gjendje më stabile.

“Nga personeli i spitalit 5 mjekë, 16 infermierë dhe 3 punëtorë nga personeli jo mjekësorë janë të infektuar me Covid-19. Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, 210 pacientë kanë marrë trajtim emergjent shëndetësorë. Nga këta 23 pacientë janë shtrirë për trajtim të mëtutjeshëm”, vijon njoftimi.

Spitali bën të ditur se 190 pacientë kanë kryer analiza, që në total kanë bërë 2,358 analiza, ndërsa janë kryer 7 operacione.

“Në Kabinetin e Radiologjisë për 24 orë janë kryer 103 shërbime Radiologjike dhe prej tyre 76 Ekzaminime të Rëntgenit, 21 EHO dhe 6 CT”, thuhet në njoftim.

6 lindje kanë qenë gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë. 4 lindje kanë qenë normale dhe 2 me prerje cezariane. Kanë lindur 6 foshnje, 2 të gjinisë mashkullore dhe 4 të gjinisë femërore.

Kosova aktualisht po përballet me gjendje të rëndë për shkak të pandemisë COVID-19.

Numri total i rasteve pozitive është 10 mijë e 590 raste nga 41 mijë e 615 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 354 raste të vdekjes.