Spitali Regjional i Gjilanit Foto: KALLXO.com

Spitali i Gjilanit mohon të ketë pasur mungesë të oksigjenit

Spitali i Përgjithshëm në Gjilan ka njoftuar se në këtë institucion asnjëherë nuk ka pasur mungesë të oksigjenit.

Sipas tyre informacionet që kanë qarkulluar nëpër rrjete sociale në emër të spitalit, nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të institucionit dhe nuk janë të vërteta.

“Spitali i Gjilanit nuk posedon faqe zyrtare në rrjetet sociale. Për shkak të sqarimit dhe informimit të drejtë për qytetarët e Gjilanit dhe Republikës së Kosovës, ne si institucion  ju njoftojmë se në asnjë moment nuk ka pasur mungesë në furnizim me oksigjen”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim bëhet e ditur se stafi dhe menaxhmenti janë duke u angazhuar vazhdimisht për ti ndihmuar qytetarëve.

“Stafi dhe menaxhmeti i spitalit   vazhdimisht është i angazhuar për  të kontribuar për shëndetin  e pacienteve. Kërkojmë nga mediat të jenë të kujdesshme në raportim dhe mos të plasojnë informata nga faqet që nuk paraqesin qëndrimin zyrtar të institucionit”, thuhet tutje aty.

Tutje ata kanë bërë të ditur se rastet urgjente janë ato që trajtohen në çdo kohë.

“Spitali i Gjilanit ka riorganizuar shërbimet, rastet urgjente trajtohen gjithmonë ne çdo kohë. Duke qenë se institucioni ynë ofron vetëm shërbime të nivelit sekondar, rastet që vlerësohen si më të rënda nga ana e profesionistëve, referohen për trajtim të mëtejmë në QKUK”, thuhet aty.

Ndonëse nga Spitali i Gjilanit janë deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë mungesë të oksigjenit.

Javën e kaluar Komuna e Gjilanit ka deklaruar se në këtë spital ka nevojë emergjente për furnizim me oksigjen, duke kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të marrë hapat e nevojshëm.

Komuna e Gjilanit: Spitali ka nevojë emergjente për furnizim me oksigjen