Foto: Facebook

Spitali i Gjilanit me 61 shtretër për t’i shërbyer të prekurve me COVID-19

Komuna e Gjilanit është një nga 5 qytetet më të prekura nga COVID-19.

Deri më tani në Gjilan janë 290 raste me COVID-19, ku 159 janë shëruar ndërsa 126 raste janë aktive.

Drejtori Klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Ukshin Ismajli ka njoftuar se përveç shërbimit të Infektivës dhe Pulmologjisë, kanë liruar edhe repartin e Neurologjisë për trajtimin e pacinetëve eventual me COVID-19.

“Tashmë janë në dispozicion 61 shtretër në shërbim të pacientëve për COVID-19, ndërkohë që 20 prej tyre janë të pajisur me oksigjenoterapi. Për momentin i kemi 47 pacientë të shtrirë, 20 janë pozitiv me Covid-19 dhe 27 po i presin rezultatet e testeve. Gjendja e tyre është stabile dhe nuk kanë ndonjë shqetësim të madh”, ka thënë drejtori i Spitalit, Ukshin Ismajli.

Në anën tjetër, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli i ka bërë apel IKShPK-së që të mos i vonojë rezultatet e testimeve me COVID-19.