Spitali Isa Grezda - Gjakovë - Foto arkiv: Kallxo.com
Spitali i Gjakovës demanton lajmin për “5 të vdekur nga COVID-19 brenda pak orëve”
Zyrtarë të Spitalit në Gjakovë kanë demantuar lajmin e shpërndarë në opinion sot se pesë persona kanë vdekur në këtë spital nga COVID-19 brenda pak orëve.
Lajmi së pari raportohet të jetë dhënë nga deputeti i Kuvendittë Kosovës nga lëvizja Vetëvendosje, Agon Batusha, përmes një postimi në Facebook.
KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Spitalit, Afrim Dervishi dhe i njëjti ka demantuar këtë lajm.
Dervishi tha se ka të vdekur gjatë ditës së sotme në këtë spital, por jo në atë numër që është raportuar.
“Nuk është e vërtetë për këtë shifër. Ka të vdekur prej virusit por jo me këtë shifër brenda këtyre orëve”, tha për KALLXO.com Afrim Dervishi.
Një gjë të tillë e ka demantuar edhe Spitali i Gjakovës, përmes postimit të tyre në Facebook.
“Kërkojmë qe të keni kujdes mos të përhapin informata të pa verifikuara nga spitali, nuk qëndron lajmi se kane vdekur 5 persona. Duhet të dihet se morgu i Spitalit shfrytëzohet edhe për pacientë që vdesin në kushte normale, për pacientë që vdesin në qendra tjera apo paciente që vdesin shtëpi mirëpo familjaret i lejnë kufomat në morg deri në ditën e varrimit”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Gjakovës.
“Ju lutem të gjithëve lejoni personelin shëndetësorë të punojnë, të gjithë janë mobilizuara, të gjitha janë në detyre, janë duke sakrifikuar shëndetin e tyre vetëm e vetëm që të mbrojnë dhe mjekojnë pacientë. Ju rikujtomë qytetarëve të mos e ulin vëmendjen për zbatimin e rregullave dhe masave për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm që prek këdo, pa dallim!”, tha Spitali i Gjakovës