Ilustrim

Spitali i Gjakovës demanton lajmet për një paciente të dyshuar me coronavirus

Spitali Rajonal i Gjakovës ka reaguar ndaj informacioneve të përhapura në portale se një paciente e këtij spitali është përcjellë për në QKUK pasi dyshohet se është infektuar me coronavirus.

Në reagimin e U.D. të drejtorit të Spitalit, Hilmi Shala, këto lajme nuk janë të vërteta.

Ai ka sqaruar se pacientja është referuar nga kujdesi primar në Spitalin e Gjakovës me shenja të gjendjes gripoze.

“Mjeku kujdestar në baze te anamnezes dhe shenjave e ka referuar për në Kliniken Infektivë ne QKUK per teste. Nuk ka asgjë te vërtetë ne ato qe thuhen në portale”, ka theksuar dr. Hilmi Shala.

Lidhur me coronavirusin, Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në rajon që ende nuk është prekur prej tij.

Siç ka njoftuar sonte Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë ditës së sotme janë testuar 11 raste të dyshimta, mirëpo asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv me coronavirus.

“Nga data 08.02.2020 deri me 12.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 93 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative”, ka njoftuar Instituti.