Spitali i Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Spitali i Gjakovës blen veturë mbi 16 mijë euro në kundërshtim me ligjin

Spitali i Gjakovës kishte blerë një veturë në vlerë 16 mijë 490 euro edhe pse nuk kishte buxhet të miratuar për blerjen e veturës.

Sipas gjetjeve të auditorit, blerja ishte bërë nga buxheti i miratuar për inventar medicinal.

Kjo blerje, siç thuhet në raportin e auditorit ishte bërë nga pakujdesia e personave përgjegjës të Spitalit të Gjakovës që më pas ka shkaktuar blerjen e veturës pa buxhet të miratuar.

Sipas nenit 17 të Ligjit nr.07/L-001 Mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për Vitin 2020 “Zyrtari Kryesor Administrativ i organizatës buxhetore është përgjegjësi kryesor ligjor për ekzekutimin e buxhetit, në pajtim me nenin 10 të LMFPP-së si dhe akteve nënligjore të aprovuara nga Ministri, përfshirë këtu edhe delegimin e shpenzimeve tek organizatat buxhetore. Gjithashtu sipas nenit 4 të po të njëjtit ligj “Miratohet buxheti i Republikës së Kosovës për vitin fiskal 2020 siç është i përcaktuar në tabelën 2 dhe tabelat 3.1 dhe 3.2., të bashkangjitura me këtë ligj”.

Kjo blerje e veturës pa buxhet të miratuar përveç që është në kundërshtim me Ligjin e Buxhetit, ka ndikuar edhe në mos realizimin e projektit e cili ishte miratuar sipas ligjit.