Foto: KALLXO,com

Spitali i Ferizajt pret rritjen e kapaciteteve për t'i përballuar kërkesat gjatë pandemisë

Spitali Rajonal i Ferizajt ka kapacitet edhe për 90 pacientë.

Trajtim mjekësor në këtë spital janë duke pranuar 55 pacientë me COVID-19, dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe po asistohen me maskën CPAP ndërsa 45 të tjerë janë në oksigjeno-terapi.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i spitalit, Jeton Zeqiri.

Drejtori thekson se çdo ditë furnizohen me oksigjen nga operatori i kontraktuar.

“100 bombola të oksigjenit i shpenzojmë për 24 orë. Operatori çdo ditë i merr të zbrazura dhe i sjell të mbushura me oksigjen, ndonjëherë dy herë në ditë (bën furnizim me oksigjen)”, tregon Zeqiri.

Që nga fillimi i pandemisë plani i Spitalit ka qenë që të funksionalizojnë objektin e ri të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Ferizaj, por sipas Zeqirit, Ministria e Shëndetësisë ende nuk i ka furnizuar me shtretër dhe aparaturë tjetër të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

“Që nga fillimi i pandemisë është bërë kërkesa për furnizim nga MSh” , thotë shkurt drejtori.

Si pasojë e kësaj është pamundësuar shfrytëzimi i këtij objekti.

Në Kosovë deri më tani nga coronavirusi janë të infektuar 9492 persona, 5346 janë shëruar dhe 284 kanë vdekur.

Brenda 24 orëve në Kosovë kanë vdekur 15 persona, sipas IKShPK-së viktimat kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Ditë e zezë, 15 të vdekur nga COVID-19 në 24 orët e fundit