S’përkthehet aktakuza, dështon të nis seanca gjyqësore ndaj 9 zyrtarëve doganorë

Kanë kaluar muaj që nga ngritja e aktakuzës ndaj zyrtarëve doganorë të cilët po akuzohen se kanë lejuar të hyjnë në Kosovë 80 mijë kilogramë duhan të kontrabanduar.

Edhe pse aktakuza ishte ngritur më 11 maj 2021, Gjykata e Ferizajt me anë të një vendimi e ka shpallur atë jokompetente në pikëpamje territoriale. Prandaj, më 10 qershor të këtij viti, gjyqtarja e rastit Ajser Skenderi, e ka kthyer në plotësim aktakuzën në Prokurorinë e Prizrenit dhe me datë 28 qershor 2021, Gjykata ka pranuar aktakuzën e plotësuar.

Mirëpo, pasi disa nga të pandehurit janë deklaruar të komunitet serb, nga Prokuroria u kërkua që aktakuza të përkthehet në të gjitha gjuhët zyrtare.

“Pasi Gjykata të pranoj në kopje të mjaftueshme aktakuzën për të gjithë palët, dhe të përkthyer në gjuhët zyrtare, në pajtim me Kodin e Procedurës Penale, një kopje të aktakuzës dhe të provave do t’ia dorëzoj të pandehurve dhe avokatëve të tyre, dhe gjithashtu të gjitha palëve do u dorëzohet ftesa për shqyrtimin fillestar”, tha për Kallxo.com zëdhënësi i Gjykatës së Prizrenit, Marcel Lekaj.

Ndërsa Shpresë Bakija, avokatja e të akuzuarit Dritan Hasimja, tha se aktakuzën e kanë pranuar mirëpo ende nuk është mbajtur ndonjë seancë.

“Lidhur me këtë fakt, nuk është mbajtur ende asnjë seancë, ne vetëm e kemi pranuar aktakuzën. Aktakuza është e pabazuar dhe nuk ka një mbështetje ligjore në prova dhe rezultatet do t’i shohim më vonë”, tha Bakija.

Sipas Prokurorisë, 9 zyrtarët doganorë Ilir Bobi, Dritëro Zeka, Dritan Hasimja, Miljan Vidosavljeviç, Hekuran Dana, Jeton Berisha, Besart Malaj, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija nga viti 2018 – 2019 po akuzohen se në pikë kalimin kufitar në Vërmicë – Komuna e Prizrenit në bashkëkryerje, si zyrtar doganor, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose personin tjetër, në kundërshtim me Kodin Doganor, duke mos i kontrolluar automjetet, lejojnë të pandehurit të kontrabandojnë dhe t’i shmangen kontrollit doganor për mallra duke i lejuar ata që të kalojnë furgonin e ngarkuar me duhan fletë, cigare, filtra për cigare nga Shqipëria në Kosovë, në tonelata të ndryshme dhe si pasojë e kësaj, i shkaktojnë dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këtë në bashkëkryerje, të pandehurit e lartcekur, akuzohen se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Për zyrtarët doganorë, Prokuroria ka propozuar që t’u shqiptohet dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

Në anën tjetër, 4 të pandehurit e tjerë Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, nga Prokuroria po akuzohen se nga viti 2018-2019, në pikë-kalimin kufitar Vërmicë, Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje, nga Shqipëria për në Kosovë, pa leje përkatëse, shmangin kontrollin doganor dhe kalojnë vijën kufitare duke bartur mallra pa leje të posaçme nga organi kompetent.

Për këto veprime, Prokuroria i ngarkon se në cilësi të bashkëkryerësve kanë kryer veprën penale ‘Kontrabandimi i mallrave’.

Po ashtu, të pandehurit e lartcekur akuzohen edhe për dy vepra të tjera penale si shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar.

Ndaj të pandehurve Vullnet dhe Valdet Syla prokuroria ka kërkuar t’i shqiptohet dënimi plotësues, dëbimi i të huajve nga territori i Republikës së Kosovës.

Hetimet për kontrabandim me cigare kanë filluar që nga viti 2018 dhe si të dyshimtë kanë qenë të përfshirë 47 persona, prej të cilëve 9 zyrtarë të Doganës.

Dëmi i buxhetit, sipas drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës Agron Llugaliu, është mbi 3 milionë euro.