Filloi seanca ndaj Gucatit dhe Haradinajt - LIVE

Pas më shumë se një viti e gjysmë gjykim, Dhomat e Specializuara të Hagës sot pritet të marrin verdiktin final ndaj dy ish krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Vendimi për këtë rast, njëherësh dhe i pari për DHSK-në, do të shpallet gjatë ditës së mërkurë duke filluar nga ora 10:00.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të cilët nga 25 shtatori i vitit 2020 gjenden në paraburgim, po akuzohen se shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Veprat penale kundër administrimit të drejtësisë konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës janë akuzat me të cilat u përballën dy ish krerët e OVL-së.

Në lidhje me këto, Zyra e Prokurorit të Specializuar vazhdimisht ka insistuar se i vetmi dënim i duhur ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt është ai me burgim.

Gjatë fjalës përfundimtare, prokuroria ka kërkuar që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të dënohen me nga gjashtë vite burgim dhe me nga 100 euro gjobë.

Prokuroria kërkon dënim me burgim ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Gjatë këtij procesi gjyqësor të mbajtur në Hagë, ZPS-ja ka deklaruar se të dy ata, të organizuar, po ashtu kanë synuar të dëmtojnë reputacionin e Gjykatës Speciale.

“Gucati dhe Haradinaj janë kundërshtarë të zëshëm të këtij institucioni. Ata kanë denigruar secilin që ka njohur ose bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara të Kosovës”, u kishte thënë prokurori, Jack Smith gjyqtarëve.

Prokuroria më tej ka pretenduar se veprimet e Gucatit dhe Haradinajt kanë qenë me dashje konkrete për të penguar punën e gjykatës dhe për t’i frikësuar dëshmitarët.

“Ata i kryen krimet, sepse donin të pengonin punën e kësaj gjykate, të frikësonin dhe të merrnin hak kundër dëshmitarëve”, ka thënë prokurori James Patch, derisa ka arsyetuar propozimin për dënimin me burgim.

Në anën tjetër, akuzat në fjalë i ka mohuar Haradinaj i cili ka thënë se ka vepruar në interes të publikut ku nga trupi gjykues kërkoi vetëm drejtësi.

“Nga ju pres drejtësi dhe asgjë tjetër, vetëm të dal në shesh drejtësia dhe të triumfojë ky proces. Asgjë tjetër nuk kërkoj përveç drejtësisë”, ishte deklaruar Haradinaj.

Haradinaj – prokurores: Fjalën kriminel kthejeni mbrapsht dhe mbajeni për vete!

Të njëjtën gjë e pretendoi edhe Gucati i cili po ashtu ishte deklaruar i pafajshëm.

“Siç ia ka shpjeguar gjykatës shumë qartë avokati im, unë jam i pafajshëm sa i përket akuzave ndaj meje. Unë kam vepruar siç kam bërë gjatë gjithë jetës nga ndjenja e sinqerta.

Gjatë 25 viteve të fundit si anëtarë i OVL-së unë kam vepruar nga ndjenja e përgjegjësisë për anëtarët e organizatës”-ka thënë Gucati.

Hysni Gucati: Jam i pafajshëm kundrejt akuzave të prokurorisë

Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar Gucati dhe Haradinaj duke e shfrytëzuar pozitën e tyre organizuan konferenca për shtyp në të cilat i vunë në dispozicion për shtypin të dhënat konfidenciale të hetimeve të speciales duke përfshirë edhe emrat, vendbanimet dhe punësimin e katër dëshmitarëve.

Aktakuza më tej thotë se Nasim Haradinaj shpalosi gjithashtu emrat, vendbanimet, numrat e telefonit, të dhëna të tjera personale, deklarata dhe informacione në lidhje me intervistat e dëshmitarëve, përfshirë shqiptarë, romë dhe serbë.
ZPS-ja përshkruan se dy krerët e OVL-UÇK-së, në konferencën e dytë kishin përmendur emrat e dy personave që kishin bashkëpunuar me Task Forcën Hetimore.

Dokumentet e shpërndara nga Gucati dhe Haradinaj sipas ZPS-së përfshinin emra dhe të dhëna personale të dëshmitarëve të cilët ndër të tjera i quanin gënjeshtarë, spiunë dhe tradhtarë.

Këto veprime sipas prokurorisë kishin ndikuar që dëshmitarët dhe anëtarët e familjeve të tyre të frikësohen e po ashtu ndikuan që siguria, privatësia, reputacioni dhe mjetet e tyre të jetesës të kërcënohen.

Për këto akuza të dy ishin arrestuar më 25 shtator në Prishtinë e më pas ishin transferuar për në Hagë.

Nisen për në Hagë të arrestuarit e sotëm, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Që nga ajo kohë dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, Gucati dhe Haradinaj po vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK