Specialja në aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së flet për dy kundërshtarë të cilët ishin mbajtur në Drenoc

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar versionin e fundit të aktakuzës për rastin Thaçi dhe të tjerët ku pretendohet se ish-krerët e UÇK-së kanë qenë të implikuar në trajtimin e kundërshtarëve duke marrë pjesë në frikësim, ndalim, keqtrajtim.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi kanë marrë pjesë personalisht në trajtimin e kundërshtarëve në terren duke marrë pjesë në frikësimin, marrjen në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”- thuhet në aktakuzë.

Sipas prokurorisë në qershor të vitit 1998, dy kundërshtarë të cilët ishin arrestuar në selinë e Drenocit, u morrën nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli personalisht, me të pranishëm edhe Rexhep Selimin.

“41. Në qershor 1998, dy kundërshtarë të cilët ishin arrestuar, marrë në pyetje dhe në një rast është rrahur rëndë nga anëtarët dhe mjetet e NPK-së në selinë e Drenocit janë marrë në drejtim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nga Hashim THAÇI dhe Kadri VESELI personalisht, me të pranishëm edhe Rexhep SELIMI, dhe nuk janë parë asnjëherë apo dëgjuar përsëri. [REDAKTUAR]”- sqarohet në aktakuzën e ZPS.

Zyra e Prokurorit të Specializiuar pretendon se më 24 qershor 1998, një person ishte rrëmbyer.

“43. Rreth datës 24 qershor 1998, në shtabin e UÇK-së në Breshanc, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë marrë masa që një anëtar i njohur i LDK-së të bëjë publike deklaratë në mbështetje të UÇK-së. I pranishëm ishte edhe një anëtar tjetër i njohur i LDK-së këtë rast, por nuk pranoi të bënte një deklaratë publike. Më herët atë ditë, ky njeri është rrëmbyer nga pjesëtarët e UÇK-së. [REDAKTUAR]”- thuhet në aktakuzë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023, e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.